Bizneset i mirëpresin rekomandimet e OAK-ut për pushimin e lehonisë

Hapçiu po ashtu tha se Oda Ekonomike Amerikane kohë më parë ka rekomanduar që pushimi i lehonisë të ulet nga 12 muaj në nëntë

Ndonëse bizneset i kanë mirëpritur rekomandimet e dala nga Oda e Afarizmit të Kosovës që pushimi i lehonisë të mbulohet 100 përqind nga shteti, të tjerët mendojnë që kjo është barrë e pa përballueshme për buxhetin e shtetit.

Drejtoresha e kopshtit të fëmijëve “Bardha”, Gëzime Rexhepi tha se mbulimi i pushimit të lehonisë 100%, nga shteti do të ishte mbështetje për bizneset, dhe fuqizim për gratë. Ajo tha se mënyra e pagesës së pushimit të lehonisë, të cilën e përcakton tani për tani ligji i punës e që është 6+3+3 tha se është barrë e rëndë për bizneset.

Përkundër kësaj, kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Besa Baftiu, ndonëse rekomandimet e dala nga OAK-u i ka konsideruar si barrë të madhe për Qeverinë tha se përkrah çdo iniciativë që stimulon gratë. Për të ideja që Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka për ligjin e lehonisë është më e mira.

Për dallim nga Oda e Afarizmit të Kosovës, të cilët kanë rekomanduar që pushimi i lehonisë të paguhet 100 përqind nga Qeveria, Visar Hapçiu, udhëheqës i Institutit për Hulumtime Ekonomike në Odën Ekonomike Amerikane tha se mënyra më e mirë për mbulimin e pushimit të lehonisë është shpërndarja e barrës tek të dyja palët, bizneset dhe institucionet.

Hapçiu po ashtu tha se Oda Ekonomike Amerikane kohë më parë ka rekomanduar që pushimi i lehonisë të ulet nga 12 muaj në nëntë, pasi që kjo çështje po paraqitet si shqetësim për bizneset.

Ndryshe, javë më parë Oda e Afarizmit të Kosovës (#OAK) nga një takim me gratë afariste ka dalë me disa rekomandime për pushimin e lehonisë, duke konsideruar se shteti është ai i cili duhet që të merr përsipër pagesën e lehonave.

Disa nga rekomandimet e OAK-ut  janë: pushimi i lehonisë të mbulohet 100% nga shteti, për 12 muaj, fillimisht në periudhën prej 30 ditësh para lindjes së fëmijës, femra të mund të marrë pushimin e lindjes dhe kjo periudhë prej 30 ditëve të mbulohet nga biznesi me 100% të pagës aktuale, të lihet opsion që nëna në rast se dëshiron mund të vazhdojë pushimin edhe për 3 muaj të tjerë. Në këto raste pushimi të jetë pa pagesë, Qeveria të jep shtesa për çdo fëmijë të lindur.

Kp ka tentuar që të marrë një përgjigje nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale lidhur me këto rekomandime të dala, por zyrtarë të kësaj ministrie nuk kanë pranuar të flasin, me arsyetimin se janë duke e diskutuar çështjen e pushimit të lehonisë.

Sipas neniti 49 të Ligjit të Punës lehonave iu takojnë 12 muaj pushim, ku në gjashtë muajt e parë të pushimit të lehonisë pagesa bëhet nga punëdhënësi me kompensim 70% të pagës bazë, tre muajt në vijim paguhet nga Qeveria e Kosovës me kompensim 50% të pagës mesatare në Kosovë.

Gruaja e punësuar ka të drejtë me këtë ligj ta zgjasë pushimin e saj të lehonisë edhe për tre muaj të tjera pa pagesë.

 

Back to top button