“Blej Shqip” me porosi për heqjen e barrierave Kosovë-Shqipëri

Panairi që mbahet në dy sheshet e Prishtinës do të zgjasë tri ditë

Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me dhomat e tregtisë dhe industrisë së Shqipërisë ka hapur sot panairin tradicional “Blej Shqip”, për nder të ditës së flamurit. Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti u shpreh se me anë të këtij panairi po e dërgojnë një mesazh që tarifat ndërmjet dy shteteve shqiptarë duhet të largohen në mënyrë, siç thotë ai bizneset të funksionojnë lirshëm.

“Kemi kënaqësinë që po e bëjmë hapjen e panairit tradicional tashmë që bëhet me institucionet e Shqipërisë. Sivjet është një risi, i kemi mbi 130 biznese gjysma janë nga Shqipëria, për shkak të rrethanave politike me këtë panair po e dërgojmë mesazhin që tarifat mes dy shteteve tona duhet të largohen qe bizneset tona të shesin lirshëm. Për ekonominë tonë është sa më shumë të shesim prodhime tona, kjo do të bëjë që te zhvillohet një ekonomi më e zhvilluar” , tha ai.

Pjesë e këtij panairi ishte dhe ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi. Ai tha se falë bashkëpunimit me komunën e Prishtinës kanë arritur që të sjellin një numër të madh të bizneseve të Shqipërisë në Prishtinë.

“Për gjithë ne është ditë e shënuar, pasi po hapim këtë panair, kjo falë bashkëpunimit tonë me komunën e Prishtinës, mbledhja e djeshme e qeverisë kishte fokus largimin e barrierave ekonomike. Mundësitë për rritje ekonomike janë shumë të mëdha, unë jam shpresë plotë që viti i ardhshëm do të na sjell një bashkëpunim më të madh”, tha Minxhozi.

Ky panair tashmë është bërë tradicional dhe do të bahet në qendër të qytetit. Gjithë qëllimi është që të promovohen produktet nga të gjitha trevat shqiptarë. Panairi do të zgjatë tre ditë dhe do të mbahet në dy sheshet kryesorë të Prishtinës.

Back to top button