Bora shkakton vonesa në Aeroportin e Prishtinës

Krasniqi apel udhëtarëve të jenë në kontakt me kompanitë ajrore përkatëse

Fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, janë duke u realizuar por me vonesa në disa prej tyre për shkak të reshjeve të borës. Këtë për rtv21.tv e ka bërë të ditur zëdhënësi i ANP- së, Undion Krasniqi.

“Fluturimet në ANP “Adem Jashari” po realizohen përkundër reshjeve të pandërprera të borës, me vonesa në disa prej tyre si pasojë e kushteve të pafavorshme atmosferike, gjegjësisht dukshmërisë së ulët. Ekipet tona janë të përgatitura dhe po punojnë në vazhdimësi për të mundësuar realizimin e fluturimeve të parapara.”, ka deklaruar Krasniqi

Ai po ashtu u ka bërë apel udhëtarëve që të jenë në kontakt me kompanitë ajrore përkatëse në rast të vonesave apo edhe anulimeve të mundshme.

Reshjet e dendura të borës po vazhdojnë ende dhe kjo ka shkaktuar edhe vështirësi në komunikacionin rrugor mëgjithatë ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka thënë se kompanitë e kontraktuara dhe ekipet e Ministrisë së Infrastrukturës po kryejnë punën e tyre, për ta mundësuar qarkullimin. /21Media

Back to top button