Borell do të pyetet për planet në lidhje me vazhdimin e dialogut Beograd-Prishtinë

Borell do të pyetet për planet në lidhje me vazhdimin e dialogut Beograd-Prishtinë

Shefi i ri i diplomacisë evropiane Josef Borrell do t’i përgjigjet një seri pyetjesh nga eurodeputetët të hënën përpara Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, i cili do të diskutojë mbi gatishmërinë e tij për të marrë një nga funksionet më të rëndësishme të BE-së.

Sipas mediave serbe, deputetët do të kërkojnë nga Borrell të deklarohet edhe lidhur me procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë seancës dëgjimore, e cila do të zgjatë tri orë, ish-ministri i Jashtëm spanjoll do të pyetet për planet në lidhje me vazhdimin e dialogut Beograd-Prishtinë.

Nëse merr “dritën e gjelbër” të Parlamentit Evropian, Borrell, ndër të tjera, do të marrë rolin e një ndërmjetësi të madh të BE-së në dialogun Beograd-Prishtinë.

Spekulohet se Borrell tashmë mund të tregojë gjatë paraqitjes së tij para Komitetit të Punëve të Jashtme nëse ai do të sjellë ndonjë risi në mënyrën ndërmjetëse të dialogut të kryer nga Federica Mogherini në pesë vjetët e fundit.

Në Bruksel thuhet se Borrell gjithashtu mund të emërojë një përfaqësues special të BE-së vetëm për këtë çështje.

Aktualisht nuk dihet kur kjo mund të ndodhë, apo nëse Borrell do të shpallë një veprim të tillë gjatë seancës dëgjimore në Parlament ditën e hënë.

Me zgjedhjen e Josep Borrell si ministër i Jashtëm i BE-së, procesi i negociatave dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës do të merrte për herë të parë një ndërmjetës të ardhur nga një vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Megjithëse është me origjinë nga Katalonia, Josep Borel njihet si kundërshtari më i zëshëm i ndarjes së këtij rajoni nga Spanja. Përndryshe, ai duhet të marrë përsipër nga 1 nëntori detyrën e shefit të diplomacisë evropiane./kp