Trazira në Bregun Perëndimor, raportohet për të plagosur

Trazira në Bregun Perëndimor, raportohet për të plagosur

Edhe aleatët tradicionalë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës i janë bashkuar korit në rritje duke e dënuar vendimin e presidentit amerikan Donald Trump për ta njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

Arabia Saudite e quajti të “paarsyeshëm dhe të papërgjegjshëm” vendimin e presidentit amerikan, ndërkohë që Franca dhe Britania thanë se nuk e mbështesin atë.

Por, kryeminsitri izraelit Benjamin Netanjahu e lavdëroi duke e cilësuar si historic vendimin e Trampit dhe tha se është i sigurtë që edhe shumë vende tjera do ta ndjekin atë. Qindra trupa izraelite janë vendosur në Bregun Perëndimor, ku tashmë kanë shpërthyer protestat e palestienzëve, me çrast është raportuar për përleshje dhe të plagosur.

Presidenti palestinez Mahmud Abaz ka kërkuar mbështetjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Ligës Arabe, me të dyja organizatat që kanë njoftuar se do të mbajnë takime të jashtëzakonshme në ditët në vazhdim.

Presidenti amerikan tha mbrëmë se ka vendosur që është koha e duhur për ta njohur zyrtarisht Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit. “Kam gjykuar se ky kurs veprimi është në interesin më të mirë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të procesit paqësor midis Izraelit dhe palestinezëve”, tha Tramp, duke shtuar se do ta urdhëroj departamentin amerikan të shtetit që të nis përgatitjet për zhvendosjen e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem.

Arabët dhe mbarë bota myslimane, përfshirë aleatët e SHBA-së, e dënuan njoftimin e Trampit. Pati edhe protesta jashtë konsullatës amerikane në Stamboll në Turqi, dhe në kryeqytetin Aman të Jordanisë. Palestinezët i ndalën dritat e pemës së Krishtlindjes në qytetin e Betëlhemit në Bregun Perëndimor, që është vendlindja tradicionale e Jezusit. Presidenti turk Rxhep Taip Erdoan tha se zoti Tramp po e hedh rajonin në zjarr. Çfarë dëshironi të bëni zoti Tramp? Çfarë qasje është kjo? Liderët politikë nuk krijojnë luftëra, por bëjnë paqe”, tha Erdoan. Kryeminsitrja britanike Tereza May, presidenti francez Emanuel Makron, kancelarja gjermane Angela Merkel, shefja për politikë të jashtme e BE-së Federika Mogerini, të gjithë kanë thënë se nuk e mbështesin vendimin e presidentit amerikan.

Njoftimi i Trumpit i vë Shtetet e Bashkuara kundër pikëmpamjes së pjesës tjetër të bashkësisë ndërkombëtare ndaj statusit të Jerusalemit. Për shkak të rëndësisë së tij si për Izraelin ashtu edhe për palestinezët, statusi i tij përfundimtar, sipas marrëveshjes së paqes midis izraelitëve dhe palestinezëve të vitit 1993, do të diskutohej në fazat e mëvonshme të bisedimeve paqësore./21Media