Haradinaj priti në takim përfaqësuesit e komunitetit boshnjak

Haradinaj priti në takim përfaqësuesit e komunitetit boshnjak

Me rastin e 24-vjetorit të Masakrës së Srebrenicës, kryeministri Ramush Haradinaj priti në takim ministrin e Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri, deputeten e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje dhe ish-deputetin Xhezair Murati, të cilët vijnë nga radhët e komunitetit boshnjak në Kosovë.

Kryeministri me këtë rast, në emër të popullit të Kosovës, shprehu nderimin dhe respektin që ka për viktimat, duke theksuar se populli i tij gjithmonë do të ndajë dhimbjen me popullin boshnjak.

Edhe në Kosovë ka pasur masakra shumë të rënda, të kryera nga regjimi i egër i Millosheviqit, për të cilat ende ndjejmë dhimbje të madhe“, ka thënë kryeministri, duke shtuar se Masakra në Srebrenicë dhe masakrat e tjera masive në Ballkan, mbeten njolla të pa shlyera në ndërgjegjen e njerëzimit, derisa nuk vendoset drejtësia e munguar.

Ai theksoi gjithashtu se bota asnjëherë nuk duhet të heshtë karshi asnjë gjenocidi, viktimë e së cilës ishin populli kosovar dhe ai boshnjak.

Nga ana e tyre, Demiri, Balje dhe Murati, falënderuan Haradinajn për pritjen dhe respektin që ai ka në vazhdimësi për komunitetin boshnjak dhe që bashkëndjen me dhimbjen për viktimat e Srebrenicës, masakër kjo më e madhja në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore./21Media