Arriti ta mbrojë titullin e kampionit të botës

Arriti ta mbrojë titullin e kampionit të botës

Karsten Warholm konfirmohet si atleti më i mirë në garën e 400 m me pengesa. Atleti norvegjez arriti të mbrojë titullin e kampionit të botës në këtë disiplinë në Botërorin e Dohas, duke fituar finalen me kohën 47.42 sekonda duke lënë në vendin e dytë amerikanin Benjamin, ndërkohë që medaljen e bronztë e fitoi atleti nga Katari, Samba.

Në kërcimin së larti për femra, titulli i kampiones së botës i shkoi atletes ruse por që garon si sportiste neutrale Mariya Lasitskene me 2.04 m, duke lënë në vendin e dytë ukrainasen Mahuchikh, ndërsa e treta u rendit amerikania Cunningham.

Në finalen e 5000 m për meshkuj, medalja e artë u fitua nga etiopiani Edris me 12 minuta 58 sekonda e 85 të qindrat. medaljen e argjendtë e fitoi një tjetër etiopian, Selemon Barega, ndërsa medalja e bronztë i shkoi kanadezit Mohamed Ahmed.

Në 800 m për femra ishte atletja nga Uganda Halimah Nakaayi që u shpall kampione e botës teksa fitoi me 1 minutë 58 sekonda e 4 të qindrat duke lënë në vendin e dytë amerikanen Rogers, ndërsa në vendin e tretë u pozicionua Wilson edhe kjo nga SHBA.

Edhe pas ditës së 4 të Botërorit, tabela e medaljeve kryesohet nga SHBA me 4 medalje ari, 7 argjendi dhe 2 bronzi. Në vendin e dytë qëndron ende Kina me 2 medalje të arta, 2 të argjendta dhe 2 të bronzta, ndërsa në të tretin është Xhamajka me 2 medalje ari dhe 2 argjendi.