BQK mbyll dy institucione mikrofinanciare në Kosovë

BQK vendos t’i mbyll “Monego-n” dhe “IuteCredit”

Banka Qendror e ka Kosovës (BQK) sot ka marrë vendim për mbylljen e dy institucioneve mikrofinanciare që veprimtarinë e tyre e kanë zhvilluar në Kosovë.

Ato janë “IuteCredit” dhe “Monego”.

Këtë e ka bërë të ditur Guvernatori i BQK së, Fehmi Mehmeti në një konferencë të jashtëzakonshme për media.

“BQK-ja kishte licencuar edhe dy institucionet e lartpërmendura, të cilat në dokumentacionin përmes të cilit kishin aplikuar dhe në bazë të të cilit i ishte dhënë licenca për të operuar në Kosovë, kishin ofruar planet e tyre se si planifikojnë ta zhvillojnë veprimtarinë e tyre në Kosovë. Sidoqoftë, gjatë këtyre viteve të operimit në tregun tonë, këto institucione në vazhdimësi kanë devijuar nga planet e tyre të biznesit në bazë të të cilave kishin marrë licencat për të operuar në Kosovë, duke i sjellë kështu tregut tonë diçka tjetër prej asaj që kishin premtuar që do të sjellin”, ka njoftuar Mehmeti.

Në konferencë u tha se këto institucione kanë aplikuar norma të interesit në kredi më të larta dhe jashtë çdo standardi.

“Normat e interesit që kanë aplikuar këto institucione janë jashtë çdo standardi, qoftë nëse i krahasojmë me vetë projeksionet e këtyre institucioneve, qoftë në raport me normat e interesit në kredi që aplikohen nga institucionet tjera financiare në vend”, ka shpjeguar tutje guvernatori i BQK-së./21Media

Back to top button