BQK shënoi Ditën Botërore të Kursimeve

Me moton “E ardhmja jonë fillon me kursimet”, Banka Qendrore e Kosovës në bashkëpunim me Muzeun e Kosovës kanë shënuar Ditën Botërore të Kursimeve

Pjesë e këtij aktiviteti kanë qenë nxënës të shkollave fillore të kryeqytetit të cilët kanë vizituar ekspozitën me monedha ilire, monedha e kartëmonedha euro.

Ekspozita po mbahet në ambientet e BQK-së ku janë të ekspozuara monedhat antike që i ka në dispozicion Muzeu i Kosovës.

BQK, përkatësisht Divizioni për Edukim Financiar është përkujdesur që nxënësit e shkollave të kryeqytetit të marrin pjesë në një punëtori përmes së cilës, nxënësit kanë treguar shkathtësitë në vizatime dhe punime, ku përmes kreativitetit të tyre ata kanë realizuar krijimet e tyre për kursimet, gjithnjë duke vënë në pah domosdoshmërinë e kursimit si një kulturë dhe shprehi të rëndësishme për të ardhmen e tyre.

Në hapje të këtij aktiviteti, për rolin dhe rëndësinë e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, rëndësinë e ditës ndërkombëtare të kursimeve, pse duhet të kursejmë fëmijëve u ka folur Ajshe Ramosaj–Ahmetaj, ndërsa për thesarin e numizmatikës ne periudha të ndryshme kohore, dhe monedhat antike që janë ekspozuar kanë folur zyrtarë të Muzeut të Kosovës, duke i njoftuar fëmijët me përmbajtjen dhe rëndësinë që paraqesin këto monedha.

Këto monedha e pasqyrojnë zhvillimin historik që nga antikiteti i hershëm, Iliria ,mesjeta dhe deri në ditët e sotme.

Nxënësit po ashtu patën mundësinë që për së afërmi të shohin të gjitha denominimet e monedhave dhe kartëmonedhave euro, për tiparet kryesore te të cilave nxënësit u informuan nga Islam Bahtiri, zyrtar i lartë në Departamentin e Parave dhe Marrëdhënieve Bankare.

Ky aktivitet me nxënës të shkollave të kryeqytetit do të vazhdojë edhe nesër po ashtu në Bankën Qendrore të Kosovës.

Ndryshe, Dita Botërore e Kursimeve shënohet në mbarë botën nga institucionet financiare që nga viti 1924. Kjo datë u vendos si ditë botërore e kursimeve në kongresin e mbajtur në Milano, me qëllim të ngritjes së njohurive dhe rëndësisë së kursimeve.

BQK-ja e shënon këtë ditë me aktivitete të ndryshme edukative për disa vite me radhë.

Back to top button