BQK: Sistemi financiar shënoi rritje vjetore prej 6.9 %

Kreditimi bankar ka shënuar rritje vjetore prej rreth 11%

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti sot ka takuar përfaqësuesit e Institutit Kreditor për Rindërtim nga Gjermania, të cilët po qëndrojnë në vizitë në Kosovë, bëhet e ditur në komunikatën për media e dërguar nga BQK.

Siç bëhet e ditur në komunikatë, Mehmeti ka informuar zyrtarët e këtij institucioni për gjendjen në sistemin financiar dhe ka falënderuar përfaqësuesit e KWË-së për përkrahjen e vazhdueshme, që kanë dhënë dhe po japin për zhvillimin e sistemit financiar, përkatësisht në përkrahjen e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK).

“Guvernatori Mehmeti ka deklaruar se sektori financiar ka pasur zhvillime pozitive, ku asetet e sistemit financiar kanë shënuar rritje vjetore prej 6.9%, ndërsa kreditimi bankar ka shënuar rritje vjetore prej rreth 11%, normat e interesit në kredi kanë zbritur në 6.3%, ndërsa norma e kredive joperformuese ka shënuar rënie në 2.7%”, theksohet në komunikatën e BQK-së.

Ndër të tjera bëhet e ditur se Mehmeti ka informuar përfaqësuesit e KfW-së për aktivitetet e vazhdueshme të BQK-së në avancimin e mëtejmë të kornizës rregullatore të sistemit financiar, sipas standardeve më të mira ndërkombëtare.

Përfaqësuesit e KfW-së, kryesuar nga Markus Aschendorf dhe Thomas Reker kanë falënderuar Mehmetin për bashkëpunimin e vazhdueshëm, si dhe e kanë njoftuar lidhur me projektet e KfW-së në mbështetje të mëtutjeshme të FKGK-së dhe projekte tjera, si dhe diskutuan për mënyrat e rritjes së mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet KfW-së dhe BQK-së. /21Media 

Back to top button