Braathu: Nuk po zbatohen ligjet për luftimin e korrupsionit

Luftimi i korrupsionit mbetet ende sfidë

Shefi i Misionit të OSBE-së Jan Braathu tha se në Kosovë ligjet kundër korrupsionit ekzistojnë, por nuk po zbatohen.

Luftimi i nivelit të lartë të korrupsionit në Kosovë, mbetet ende sfidë.

Për këtë arsye, misioni i OSBE-së dhe qeveria gjermane kanë lansuar projektin e dytë për fuqizimin e kapacitetit të institucioneve të Kosovës në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë.

Ambasadorja gjermane Angelika Viets, e përmendi korrupsionin e nivelit të lartë si një dukuri me të cilën institucionet kosovare duhet të ballafaqohen për liberalizim të vizave.

“Korrupsioni i nivelit të lartë fatkeqësisht mbetet një nga sfidat madhore për zhvillimin e Kosovës. Krijimi i një historiku pozitiv të trajtimit të korrupsionit te nivelit të lartë mbetet një nga kushtet kryesore për liberalizim të vizave”, tha ajo.

Sipas Viets,  hetuesit dhe prokurorët duhet të mbesin të paanshëm dhe t’i ndjekin të gjitha rastet me dëshmi të forta pavarësisht kush është i akuzuar.

Kjo sipas saj, kërkon bashkëpunim të mirë ndërinstitucional, vullnet politik dhe guxim.

Në dhjetor të vitit 2015, një ndër tetë kriteret e atëhershme për lëvizje pa viza të kosovarëve ishte edhe arritja e rezultateve në luftimin e korrupsionit, të cilin kriter qeveria ka thënë vazhdimisht se e ka plotësuar.

Back to top button