Mposhtet qeveria

Mposhtet qeveria

Rebelët e Tory dhe deputetët e opozitës kanë mposhtur qeverinë në fazën e parë të përpjekjes së tyre për të miratuar një ligj të krijuar për të parandaluar një Brexit pa marrëveshje.

Kundërshtarët e idesë së Johnsonit kishin 328 vota, kurse përkrahësit e qeverisë vetëm 301 vota, kur Parlamenti votoi që të marrë kontrollin e sallës dhe në këtë mënyrë do hapë mundësinë që nesër të hedhet në votim ideja e opozitës për Brexit.

Si përgjigje, Boris Johnson tha se ai do të paraqiste një propozim për një zgjedhje të përgjithshme të parakohshme.

Jeremy Corbyn tha se projektligji duhet të miratohet përpara se të mbaheshin zgjedhjet.

Në total 21 deputetë të Tory, përfshirë një numër të ish-ministrave të kabinetit, u bashkuan me partitë e opozitës për të mposhtur qeverinë, përcjell rtv21.tv.

Kryeministri tha se projektligji i deputetëve do të “dorëzojë kontrollin” e negociatave të Brexit në BE dhe do të sjellë “më shumë zbehje, më shumë vonesë, më shumë konfuzion”.

Ai u tha deputetëve se nuk kishte zgjidhje tjetër përveç se të vazhdonte me përpjekjet për të thirrur zgjedhjet e tetorit, duke shtuar: “Populli i këtij vendi do të duhet të zgjedhë”.

Kjo do t’u japë atyre mundësinë për të prezantuar një projekt-ligj ndër-parti i cili do ta detyronte kryeministrin të kërkojë që Brexit të vonohet deri më 31 janar, përveç nëse deputetët miratojnë një marrëveshje të re, ose votojnë në favor të një dalje pa marrëveshje, deri në 19 tetor./21Media