Sipas Merkelit, është e mundur të rregullohet dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja

Sipas Merkelit, është e mundur të rregullohet dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja

Kancelarja gjermane, Angela Merkel u takua të mërkuren mbrëma me kryeministrin britanik, Boris Johnson në Berlin.

Merkel tha se ende është e mundur të rregullohet dalja e Britanisë së Madhe nga BE-ja, duke vlerësuar se është e mundur të hiqet pengesa kryesore gjatë rrugës –  çështja kufitare me Irlandën.

Përpara takimit me Johnson, Merkel u tha gazetarëve në prani të tij se një zgjidhje për çështjen e kufijve me Irlandën mund të gjendej para 31 tetorit kur Britania e Madhe do ta braktisë BE-në.

“Ne mund të gjejmë një zgjidhje brenda 30 ditëve të ardhshme, pse jo.” tha Merkel.

Në prani të Merkelit, Johnson pranoi se ishte përgjegjësia e vendit të tij të dalë me një zgjidhje për çështjen në fjalë dhe përshëndeti afatin 30-ditor që përmendi Merkel.

Pas takimit me Merkel, Johnson sot do të shkojë në Paris për bisedime me presidentin e Francës Emmanuel Macron, dhe më pas merr pjesë në samitin treditor të G7 në Biarritz, ku do të jetë i pranishëm edhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump.