Britani: “Zgjedhjet e reja, në qershor”

Sipas shtypit britanik

Këshilltarët e selisë së Kryeministrisë në Downing Street mendohet se po hartojnë planet për shtyrjen për më vonë të Nenit 50 të Traktatit të Lisbonës, e cila është klauzola që starton në praktikë tërheqjen e Britanisë nga Bashkimi Evropian.

Sipas planeve, qeveria do të sigurojë mbështetjen e Parlamentit në prill për marrëveshjen e re të Brexit-it, e cila do të negociohet me BE-në në javët e ardhshme, përpara se të kërkojë mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme më 6 qershor.

Në sondazhet e opinionit publik mendohet se konservatorët e kryeministres janë rreth 7 pikë përpara opozitës laburiste të Jeremy Corbyn, i cili nuk është në gjendje të hipotekojë mbështetje publike edhe në kushtet e krizës më të rëndë të kësaj qeverie.

Gazetat “Mail on Sunday” dhe “Sunday Times” të Londrës i referohen burimeve të tyre pranë qeverisë, sipas të cilave një plan i tillë do të mbrojë kryeministren nga largimi prej detyrës nga kundërshtarët e saj, që do të donin një udhëheqës të ri britanik në kohën kur të negociohej faza e dytë e Brexit-it, dhe më konkretisht kur të negociohen detajet e marrëveshjes së re tregtare me Bashkimin Evropian.

Downing Street i mohon njoftime të tilla, duke i cilësuar si “tërësisht të pavërteta”. Ndërkohë, u raportua se ekziston edhe një plan sekret që parashikon evakuimin nga Londra të Mbretëreshës dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes mbretërore në rast trazirash të shkaktuara nga një Brexit që duket se po ecën në mënyrë të pakthyeshme drejt skenarit më të keq, atij pa një marrëveshje.

Lajmin e pohon “Sunday Times”, sipas së cilës, programi i hartuar është frymëzuar nga projektet e kohës së Luftës së Ftohtë dhe është nxjerrë nga sirtarët vetëm javët e fundit. Plani në fjalë ishte menduar më herët të hynte në fuqi në rast të një sulmi bërthamor. Gjithnjë sipas “Sunday Times”, sulmi bërthamor mund të lëshohej nga Bashkimi Sovjetik.

Plani parashikon mes të tjerash transferimin e mënjehershëm të Mbretëreshës dhe bashkëshortit të saj, Dukës së Edinburgut, nga Londra në një vend sekret.

 

Back to top button