Opozita mbështet vendimin, mbetet të caktohet data

Opozita mbështet vendimin, mbetet të caktohet data

Kryetari i Partisë Laburiste të Britanisë së Madhe, Jeremy Corbyn, njoftoi se partia e tij është e gatshme për zgjedhje të përgjithshme tash që Bashkimi Evropian ia dha vendit edhe tre muaj shtesë si afat për arritjen e marrëveshjes së brendshme lidhur me Brexit-in.

Përkrahje për mbajtje të zgjedhjeve në dhjetor kanë ofruar më parë edhe Partia Liberal-Demokrate dhe Partia Kombëtare Skoceze. Kështu, besohet se nisma e kryeministrit Johnson për zgjedhje të parakohshme do të dalë e suksesshme.

Corbyn tha: Kam thënë vazhdimisht se ne jemi të gatshëm për zgjedhje dhe përkrahja jonë për këtë varet vetëm nga largimi i opsionit të Brexit-it pa marrëveshje nga tavolina.

“Tash do ta nisim fushatën më ambicioze dhe më radikale për ndryshim të vërtetë. Një të tillë vendi nuk e ka parë kurrë më parë”, shtoi lideri i opozitës britanike.

Kryeministri Johnson ka kërkuar që data e zgjedhjeve të jetë 12 dhjetori, mirëpo burime brenda Qeverisë kanë bërë të ditur për CNN që ata do të pranonin edhe datën 11 dhjetor për zgjedhje.

Ndryshe, presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, njoftoi se vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar që t’ia japin Britanisë tre muaj afat për ta miratuar marrëveshjen e Brexit-it në kuvend./21Media