Britania dhe Gjermania do të ndihmojnë trajnimin e inspektorëve tatimor

“ATK do të jetë më profesionale dhe më transparente”

Administrata Tatimore e Kosovës ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi më Ambasadën e Britanisë së Madhe dhe Ambasadës së Gjermanisë, ku kjo marrëveshje do të mundësojë trajnimin e inspektorëve tatimor.

Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Sakip Imeri ka thënë se kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme për ta.

“Sot për ATK-në është një ngjarje me rëndësi nga fakti se nënshkruhet një memorandum i bashkëpunimit për një projekt të rëndësishëm për të ardhshëm. ATK është institucioni i vetëm për administrimin e tatimit në Kosovës. Me kapacitetet që i ka ATK  është e gatshme të përkrahë të gjitha kërkesat e Qeverisë. Prioritet i parë është luftimi i ekonomisë informale”, tha Imeri.

Ai tha se do të vazhdojnë të punojnë që ATK të jetë një institucion i ngritur profesionalisht.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, ka thënë se në Kosovë ekonomia informale është shumë e lartë dhe se kjo sipas tij dëmton fusha të ndryshme.

“Në Kosovë ekonomia informale është shumë e lartë, ne të gjithë e dimë se kjo dëmton fusha të ndryshme, zvogëlon buxhetin e Kosovës, lehtëson korrupsionin dhe kjo prek qytetarët e Kosovës. Sot jam shumë i kënaqur që jemi këtu me një qëllim të përbashkët që të mbështesim ATK-në në reforma. Prania e mikut tim gjerman tregon sa është e rëndësishme kjo punë. Duke iu falënderuar sinjalizuesve të korrupsionit disa kompani ju ikin tatimit. Kjo jo vetëm që dëmton bizneset e suksesshme. Unë besoj fuqimisht që ka shumë zyrtarë të tillë të dedikuar në punën e tyre, që janë të gatshëm të jenë heronjtë e Kosovës dhe që kanë nevojë për mbështetjen tonë. Projektligji për sinjalizuesit do të ofrojë mbështetje për ata që raportojnë korrupsionin dhe ne do ta mbështesim”, tha ai.

Ambasadori i Gjermanisë, Christian Heldt, ka thënë se janë të përkushtuar në përforcimin e institucioneve të Kosovës.

“Ky është një sinjal shumë i fortë që sot jemi këtu me GIZ dhe Ambasadën Britanike. Sepse ne jemi këtu që të ndihmojmë dhe të përforcojmë institucionet e këtij vendi”, tha Heldt.

Ky projekt i financuar nga Britania dhe Gjermania, do të thotë se ATK do të jetë më profesionale dhe më transparente, se shërbimet e ATK-së do të përmirësohen. Kjo mbështetje do të rris besimin e çdo inspektori.

Back to top button