Abbot bën thirrje të merret parasysh meritokracia dhe transparenca

Abbot bën thirrje të merret parasysh meritokracia dhe transparenca

Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë lansoi projektin e saj për forcimin e sistemin e drejtësisë në Kosovë. Me anë të një memorandumi me Këshillin Gjyqësor të Kosovës u tha se kjo do të fuqizojë sistemin në aspektin e rekrutimeve, avancimeve, emërimin e stafit udhëheqës gjyqtarëve, si dhe vlerësimin e performancës.

Ambasadori Nicholas Abbott tha se ky projekt dëshmon angazhimin e shtetit të tij për një sistem të pavarur të drejtësisë në Kosovë. Për të arritur këtë, ai tha se duhet të merren parasysh meritokracia dhe transparenca brenda sistemit gjyqësor.

“Çdo shtet demokratik dhe funksional ka për bazë dhe shtyllë kryesore sundimin e ligjit në përgjithësi dhe një sistem të pavarur gjyqësor në veçanti. Shteti im ka interes të mbështesë në këtë rrugëtim. Kjo do të mundësonte që pas 20 vjetësh investitorët tanë të mos hezitojnë të vijnë të investojnë në Kosovë. Si e tillë, kjo paraqet interes reciprok për të cilin ne kemi gatishmëri. Për të arritur te një sistem gjyqësor i pavarur, i paanshme transparent dhe llogaridhënës. Ne vlerësojmë se janë tri çështje që duhet të bëhen në mënyrën e duhur. E para rekrutimet, e dyta emërimet e stafit udhëheqës dhe kryetarët e gjykatave dhe e treta vlerësimet e performacës. Që të tri proceset duhet të kenë për bazë meritokracinë dhe vlerësimin e transparencës. Projekti ka për qëllim që të sigurojë dhe të mbështesë Këshillin Gjyqësor të Kosovës pikërisht në këtë tri procese”, deklaroi ambasadori Abott.

Ndërsa, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj duke folur për këtë projekt, tha se ai do të sigurojë llogaridhënie dhe transparencë brenda sistemit gjyqësor, teksa tregoi disa nga reformat që janë duke i ndërmarrë.

“Aspekti i sistemit të drejtësisë përfshirë sistemin gjyqësor ka pas progres kohëve të fundit. Padyshim që kontribut të rëndësishëm kanë dhënë partnerët tanë që bashkëpunojmë fuqishëm përfshirë Mbretërinë e Bashkuar por edhe agjencinë që e nënshkruajmë memorandumin sot. Në rrjedhën e këtyre proceseve jemi në procesin e ndërmarrjes së reformave që përfshijnë aspektin e brendshëm legjislativ, planifikimin për infrastrukturën e re të gjykatave në nivel nacional. Funksionalizimin e departamentit special, procedurën disiplinore, vlerësimin e performancës së gjyqtareve, rekrutimin e gjyqtarëve dhe stafit mbështetës dhe qëllimi kryesor i këtyre aktiviteteve është fuqizimi i mekanizmit të kontrollit transparencës brenda gjykatave dhe KGJK-së”, tha ai.

Drejtori i projektit, Stive Pitts tregoi detaje për këtë projekt, ku sipas tij gjatë katër muajve të fundit kanë mbledhur informacion mbi sistemin gjyqësor në emërimet, avancimet, llogaridhënien dhe transparencës.

“Dhe ju si këshill, anëtarët e këshillit nuk mund ta shpërfillni dëshirën e palëve tjera të interesit pa pasur edhe pasoja. Njihet gjerësisht se më shumë mund të bëhet për të ndërtuar besimin e publikut dhe të komunitetit ndërkombëtar në integritetin, transparencën dhe llogaridhënien e sistemit gjyqësor. Dhe ne besojmë se qasja jonë do t’ia arrijë këtë”, u shpreh ai.

Ndryshe, këtë projekt Ambasada britanike në Prishtinë është duke e realizuar përmes partnerëve të saj implementues – Axiom International dhe Agjencia Limited, në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës.