Britania e përkrahë Kosovën të krijojë forcat e armatosura

O’Connell u shpreh se vazhdojnë të inkurajojnë Kosovën të sillet me përgjegjësi dhe transparencë

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell ka deklaruar se është e drejtë e Kosovës që të formojë ushtrinë. Ai ka shtuar se krijimi i Forcave të Armatosura duhet të bëhet në konsultim me aleatët e NATO-s.

“Mbreteria e Bashkuar beson se eshte e drejte e Kosoves te krijoje forcat e saj te armatosura. Ne vazhdojme te inkurajojme Kosoven te sillet me pergjegjesi dhe me transparence, dhe ne konsultim me aleatet e NATO, dhe te respektoje angazhimin e saj ndaj KFOR, pershire edhe shkembimin e letrave te viti 2012-2013”, ka shkruar O’Connell përmes Facebook-ut, ku i është përgjigjur interesimit të qytetarëve lidhur me këtë çështje.

Më 14 dhjetor do të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës ku do të hidhet në votim transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg para pak ditësh ka thënë se vendimi për formimin e ushtrisë së Kosovës është në kohë të gabuar dhe do të ketë pasoja serioze. Kryeministri Ramush Haradinaj ka zhvilluar një bisedë telefonike me Stoltenberg-un, të cilit i ka konfirmuar se ushtria e Kosovës do të votohet më 14 dhjetor.

Back to top button