Sipas kryeministri Boris Xhonson, çështja e Brexit do të zgjidhet vitin e ardhshëm

Sipas kryeministri Boris Xhonson, çështja e Brexit do të zgjidhet vitin e ardhshëm

Mbretëria e Bashkuar është në prag të shpërndarjes së parlamentit dhe të nisjes së fushatës për zgjedhjet e 12 dhjetorit.

Kryeministri Boris Xhonson thotë se do të vazhdojë axhendën 100-ditore, ndërsa laburistët theksojnë se do i japin votuesve shansin të vendosin përsëri për Brexit-in.

Kabineti britanik është mbledhur për herë të fundit para zgjedhjeve të parakohshme të 12 dhjetorit.

Në prag të nisjes së fushatës njëmujore elektorale, kryeministri Boris Xhonson të martën tha se janë krenarë për 100 ditët e para në detyrë, dhe se çështja e Brexit do të zgjidhet vitin e ardhshëm.

Zgjedhja për vendin është e qartë. A doni të avancojmë axhendat dhe të realizojmë Brexit dhe gjërat e tjera fantastike në vitin 2020, apo doni ta konsumoni vitin e ri me dy referendume, njërin për Bashkimin Evropian dhe tjetrin që rrezikon ndarjen e Mbretërisë sonë të Bashkuar”, pyeti Xhonson ministrat.

Lideri i opozitës, laburisti Xheremi Korbin, akuzoi kundërshtarin se po konsultohet në fshehtësi me Uashingtonin që pas daljes nga BE-ja, të aplikojë një model ekonomik të ngjashëm me atë amerikan.

“Shihni sa të pamëshirshme janë korporatat në SHBA. Ne e dimë se duan të futen në sistemin tonë të shëndetësisë dhe të ngrenë çmimet e medikamenteve për pacientët. Këtë rezultat sjell Breksiti i Partisë Konservatore dhe prandaj ne kërkojmë që vendimi të lihet në dorën e votuesve,” deklaroi Korbin.

Në sondazhet paraprake për zgjedhjet e 12 dhjetorit, laburistët e kanë ngushtuar epërsinë e konservatorëve në 7 për qind, liberaldemokratët renditen të tretët të ndjekur nga grupimi Brexit.