Britanikët e mirëpresin mandatimin e Kurtit për kryeministër, kanë një kërkesë

Ambasada britanike thirrje për përshpejtim të negociatave

Ambasada britanike në Kosovë e mirëpret vendimin e të parit të shtetit, Hashim Thaçi për mandatimin e Albin Kurtit si kryeministër. Përmes një shkrimi kjo ambasadë ka kërkuar formimin e Qeverisë sa më shpejtë.

“E mirëpresim vendimin e presidentit Thaçi për emërimin e Albin Kurtit si kandidat për kryeministër, për formimin e Qeverisë së re. Votuesit kosovarë kanë pritur tre muaj e gjysmë për këtë moment. Shpresa e tyre dhe dëshira për të ndryshuar, e shprehur aq qartë më 6 tetor, duhet të respektohet. Politikanët e zgjedhur të Kosovës dhe partitë e tyre tani duhet të tregojnë kurajo dhe kreativitet në formimin e qeverisë që reflekton dëshirën e elektoratit. Ne bëjmë thirrje për përparim të shpejtë në negociata, në një frymë tolerance dhe partneriteti”, thuhet në deklaratën e ambasadës britanike.

Vetëvendosje sot ka propozuar kryetarin e saj, Albin Kurti, për mandatar të qeverisë. Ai tani brenda 15 ditësh duhet të paraqes përbërjen e Qeverisë para Kuvendit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka njoftuar se pas pranimit të propozimit për mandatar për formimin e Qeverisë, Dekretin Presidencial me emrin e kandidatit për Kryeministër e dërgoi zyrtarisht në Kuvendin e Kosovës. Sipas presidentit, ky është hap shumë i rëndësishëm për krijimin të institucioneve të reja dhe nga sot fillon edhe rrjedhja e afatit kushtetues për formimin e Qeverisë./21Media

Back to top button