“Brukseli kritikat duhet t’i bëjë ndaj Serbisë pasi bënë shkelje të CEFTA-s”

Oda Ekonomike dhe Klubi i Prodhuesve e përkrahin taksën ndaj Serbisë dhe Bosnjës

Oda Ekonomike e Kosovës dhe Klubi i prodhuesve të Kosovës e kanë përkrahur vendimin e djeshëm të Qeverisë për vendosjen e masës mbrojtëse për importin e të gjitha produkteve të prodhuara në Serbi dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi ka thënë se beson se edhe fabrikat do ta përkrahin vendimin që përfshin taksën për 10% për produktet e këtyre dy shteteve.

“Një pjesë e aktivitetit tim dhe në të kaluarën kam kërkuar dhe është kërkuar një taksë për të kompensuar  ketë dëm.Qeveria e ka marr këtë vendim e kemi përkrahur dhe besoj që edhe fabrikat do e përkrahin, do të vazhdojnë  me importuar por duhet me i shikuar  alternativat”, u shpreh Rukiqi, pas nënshkrimit të marrëveshjes në mes Odës Ekonomike dhe klubtit të Prodhuesve për rritje të eksportit dhe fuqizim të zonave ekonomike.

Astrit Panxha nga Klubi i Prodhuesve, e ka konsideruar vendimin e ekzekutivit si të drejtë, duke shtuar se vendimi nuk duhet tërhequr.

“Vendimi i djeshëm e përkrahim sepse  është vendim i duhur kemi kërkuar qe me Bosnjën dhe Serbinë të sillemi si shtet dhe kemi pasur produkte të Serbisë që në Kosovë shitet më lirë sesa në Serbi ashtu edhe kjo është shkelje e CEFTA-s dhe ironia më e madhe është kur kërkojmë përgjigje nuk e japin sepse nuk na njohin si shtet dhe çfarë kuptimi ka CEFTA kur dy vende nuk bashkëpunojnë”, ka thënë ai.

Panxha ka shtuar se kritikat e Brukselit ndaj kësaj mase  janë destinuar në adresë të gabuar pasi që këto kritika duhet t’i bëjë ndaj Serbisë,  pasi siç tha ai bënë shkelje të CEFTA-s.

Mbrëmë Bashkimit Evropian i ka kërkuar autoriteteve të Kosovës që urgjentisht të shpjegojnë vendimin e tyre për të rritur tarifat me 10 për qind në importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Zëdhënësja e BE-së Maja Koçijançiq tha se ky vendim minon bashkëpunimin rajonal dhe nuk është në përputhje me parimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit BE-së dhe Kosovës. “Këto vendime janë një shkelje e qartë e obligimeve të Kosovës në kuadër të CEFTA-s. BE pret nga Kosova, e cila aktualisht kryeson CEFTA për të përmbushur plotësisht obligimet e saj dhe të revokojë këtë masë”, tha Koçijançiq.

Qeveria e Kosovës dje  ka marrë vendim për vendosjen e masave në importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Ky propozim erdhi nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.

Kjo masë vendoset për qumështin dhe produktet e qumështit, uji, biskotat, materialet ndërtimore dhe lëngjet e prodhuara në këto dy vende. Por, kjo masë përjashtohen produktet e brendeve ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, dy shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. / 21Media

 

Back to top button