BSH mban të pandryshuar normën bazë të interesit

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë të mërkurën ka marrë vendim për mbajtjen të pandryshuar të normës bazë të interesit në nivelin 1.25%, si dhe të normave të interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore, përkatësisht në nivelet 0.25 dhe 2.25%

Po ashtu, Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së mori në shqyrtim dhe vendosi miratimin e disa ndryshimeve në rregulloren “Mbi transparencën për produktet dhe shërbimet bankare e financiare”, e cila synon plotësimin dhe përmirësimin në vazhdimësi të kuadrit rregullativ të Bankës së Shqipërisë mbi transparencën e produkteve dhe shërbimeve bankare e financiare.

Në këtë mbledhje u miratua edhe udhëzimi “Mbi procesin e vlerësimit të brendshëm të mjaftueshmërisë së kapitalit”, i cili parashikon kushtet dhe kërkesat për krijimin dhe zhvillimin e duhur dhe të përshtatshëm të një procesi të brendshëm të vlerësimit të mjaftueshmërisë së kapitalit nga ana e bankave dhe mbikëqyrjen e këtij vlerësimi nga Banka e Shqipërisë, si pjesë integrale me rëndësi e gjithë procesit mbikëqyrës.

Ky udhëzim synon plotësimin në vazhdimësi të kuadrit rregullativ të Bankës së Shqipërisë për bankat, në përputhje me direktivat dhe rregulloret e Bashkimit Evropian që rregullojnë veprimtarinë e institucioneve të kreditit, si dhe me kërkesat e Shtyllës së Dytë të Akordit të Kapitalit të Komitetit të Bazelit, që trajton procesin e rishikimit mbikëqyrës.

Back to top button