Bujqit në Maqedoni kërkojnë eksport të prodhimeve të tepërta

Bujqit në Maqedoni kërkojnë eksport të prodhimeve të tepërta

Bujqit tashmë një kohë të gjatë kanë problem me atë se ku do t’i plasojnë prodhimet e tyre. Vesna Janevska, prodhuese nga Rosomani, thotë se për shkak të gjendjes politike, vihet në dyshim edhe pagesa e subvencioneve të tyre.

“Do të jetë një kaos i vërtetë. Është vonuar përgatitja e tokës për mbjellje, fara, materiali për mbjellje, të gjitha rezervat janë harxhuar, ndërsa më e keqja është se edhe subvencionet janë vonuar”, tha Vesna Janevska, Prodhuese nga Rosomani, shkruan TV21.TV

Bujqit propozojnë stabilizimin e agrobursës si hap të parë drejt zgjidhjes së problemeve të tyre. Fermeri nga Dibra, Daut Dumani, shprehet se ka problem me shitjen e qengjave.

“Askush nuk është i interesuar për blerje të qengjave. Tani jemi në kulmin e sezonit, por po manipulohet me çmimin e qengjit, veç asaj se çmimi është i ulët, por nuk ka as blerje, edhe pse ne kemi kapacitet të madh për therje dhe prodhim” u shpreh Daut Dumani, Fermer nga Dibra.

Bujqit nuk dinë se ku të ankohen. Koordinatorja e projektit “Ekonomia e tregut dhe kapacitetet institucionale”, Liljana Joneski thotë që edhe pse numri i të punësuarve nëpër institucione rritet, efikasiteti zvogëlohet.

“Situata për një kohë të gjatë është e njëjtë. Nga njëra anë, vazhdimisht po rritet numri i punësimeve, e me atë edhe financat e ndara nga buxheti për këtë qëllim, ndërsa nga ana tjetër, marrëdhëniet në ekonominë e tregut shënojnë regres”, tha Joneski.

Rezultatet e projektit tregojnë se mbi 64 % e bujqve nuk kanë besim në institucionet vendore, ndërsa 85% mendojnë se nuk ka konkurrencë reale të çmimeve në bujqësi./21Media