Komisioni për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror sot prezanton para qeverisë së Kosovës, raportin e të gjeturave për demarkacionin me Malin e Zi

Komisioni për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror sot prezanton para qeverisë së Kosovës, raportin e të gjeturave për demarkacionin me Malin e Zi

Në mbledhjen e  sotme të qeverisë e cila nis në orën 9:00, pikë e rendit të ditës është edhe raportimi i kryetarit të komisionit për shënjimin e kufirit shtetëror, Shpejtim Bulliqi, i cili do të prezantojë të gjeturat rreth Demarkacionit me Malin e  Zi.

Ai  ka konfirmuar se tashmë raporti për këtë çështje është i përfunduar.

Prezantimin e raportit nga ana e Bulliqit e ka paralajmëruar të premten edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

“I kam propozuar që një mbledhje të ardhshme të vijnë të na propozojnë në mbledhjen e qeverisë. Me siguri si konkluzë do të dalë se marrëveshjen duhet ta procedojë Qeveria në Parlament. Të gjeturat e raportit ia procedojmë Kuvendit. Sa na përket neve si Qeveri pas njohjes së materialit nuk na mbetët shumë punë pos me proceduar në Kuvend. Mundemi të hënën me mbajt një mbledhje të qeverisë por së pari të kemi konsulta paraprake”, tha Haradinaj në mbledhjen e kaluar të Qeverisë.

Ndryshe, Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar nga autoritetet e Prishtinës dhe Podgoricës, në fund të gushtit të vitit 2015, në Vjenë.  E njëjta marrëveshje, ishte ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi, por jo edhe nga ai i Kosovës.

Pas ardhjes në krye të Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili në legjislaturën e kaluar kishte kundërshtuar ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, ka emëruar përbërje të re te komisionit me në krye Shpëtim Bulliqin. Komisioni i ri ka nisur rishikimin e gjithë procesit, për të gjetur gabimet e pretenduara në Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Gjetjet e këtij komisioni tani pritet të dalin në Kuvendin e Kosovës për diskutim.

Rikujtojmë që ratifikimi i Demarkacionit të kufirit me Malin e ZI është një nga kushtet që Komisioni Evropian i ka vënë Kosovës në lidhje me liberalizimin e vizave. /21Media