"Unë asnjëherë nuk kam qënë përfituese e të mirave që ofron ky shtet"

“Unë asnjëherë nuk kam qënë përfituese e të mirave që ofron ky shtet”

Burbuqe Berisha ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetares së Bordit në Teatrin Kombëtar të Kosovës, për arsye të presionit nga agjensioni Antikorrupsion.

“Unë, Burbuqe Berisha parashtroj dorëheqjen time para Jush për arsye të presionit nga agjensioni Antikorrupsion, të cilët më kanë kushtëzuar që të heq dorë nga pozita që e ushtroj në Kolegjin AAB, detyrën si Dekane, dhe nuk po e shoh aspak të arsyeshme ku si një qytetare e ndërgjegjshme e Republikës së Kosoves dhe e ndershme njëkohësisht në veprimtarinë time duke i ikur çdo konflikt interesi, të më kërkohet një gjë e tillë”, ka shkruar Berisha në letrën dërguar Ministrit të Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Gashi.

Ajo ka thënë se asnjëherë nuk ka qenë përfituese e të mirave që ofron ky shtet.

“Unë asnjëherë nuk kam qënë përfituese e të mirave që ofron ky shtet, çdoherë punën time artistike e kam punuar pothuajse vullnetarisht, por mund edhe ti ketë penguar dikujt fuqia ime artistike dhe profesionale. Gjithsesi dua ta respektoj deri në momentin e fundit ligjin dhe shtetin. Për momentin gjendja ime shëndetësore është e rëndë, prandaj nuk kam mundësi që këtë letër ta dorëzoj personalisht”, ka shkruar Burbuqe Berisha.

Burbuqe Berisha, regjisore e filmit /teatrit dhe televizionit, ka krijuar një numër të konsiderueshëm të filmave me metrazh të shkurtër, si dhe dokumentarë, seriale televizive,shfaqje teatrore dhe është fituese e disa shpërblimeve në festivale të filmit dhe teatrit me karakter ndërkombëtar./21Media