Burdushi i ankohet KMDLNj-së: Jam viktimë e politikës

Tash e 48 orë Burdushi është në grevë

Zyrtarë të KMDLNJ, Qendra Rajonale në Prizren, vizituan sot Hysri Peqanin-Burdushin, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Burdushi ka hyrë në grevë tash e 48 orë.

Sipas drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prizren, Hamit Ademaj ndaj, Hysri Peqanit janë duke u zbatuar gjithë rregullat e parapara në të tilla raste, duke qenë në vëzhgim permanent, njofton KMDLNJ përmes një komunikate për media.

“Ai, është në gjendje stabile dhe jemi duke e përcjellur gjendjen e tij shëndetësore, duke qëndruar i vetëm në qeli, ashtu siç edhe parashihet në të tilla raste”, citon KMDLNj të ketë thënë drejtori Ademaj,

Ndërkaq, punëtori social poashtu ka pohuar se e ka takuar dhe këshilluar të njëjtin (Burdushin) për ndërprerje të grevës, por ai akoma vazhdon të jetë në grevë.

Gjatë vizitës që i bëri KMDLNJ-ja, Burdushi ka pohuar se është i indinjuar me sjelljen, përkatësisht me zvarritjen e procesit dhe greva në këtë rast s’ka të bëjë  me trajtimin në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, për të cilët thotë: ‘se janë shumë korrektë dhe i falenderon menaxhmentin dhe oficierët korrektues, personelin e stafin mjekësor, për trajtim shumë të mirë’.

Por, ai ka vërejtje në zvarritjen e procesit nga Prokuroria shtetit, dhe për këtë ka hyrë në greve, siç thotë deri në realizimin e të drejtës për gjykim të shpejt e të drejtë, duke konsideruar veten të pafajshëm.

Nga ana e vetë KMDLNJ i ka kërkuar  Burdushit, që të ndërpresë grevën, ngase me këtë vetëm mund të dëmtojë shëndetin. Ndërsa, sa i takon adresimeve për zvarritje nga Prokuroria, kjo s’është në mandatin e KMDLNJ-së.

Gjatë kësaj vizite, Hysri Peqani ka konfirmuar për KMDLNJ-në se:’në asnjë moment dhe asnjë rrethanë nuk ndien se po diskriminohet në baza etnike. Kjo është e pavërtetë që ka dalë, nuk e di nga kush.Unë, këtë asnjëherë se kam thënë dhe as që e them.Unë, jam i martuar me shqiptare. Kjo nuk është e vërtetë, se ka prapavijë etnike.Thjeshtë po mbahem padrejtësisht dhe këtë dua sa më parë ta dëshmojë para drejtësisë, se jam thjeshtë viktimë e politikës’.

Policia e Prizrenit ka arrestuar Hysri Peqanin, mjekun popullor të njohur me emrin “Burdushi”, në nëntor të vitit të kaluar. Burdushi akuzohet për veprat penale, mashtrim dhe shmangie tatimi./21Media

Back to top button