Hysri Peqani, i njohur si “Burdushi” është arrestuar në nëntor të vitit të kaluar

Hysri Peqani, i njohur si “Burdushi” është arrestuar në nëntor të vitit të kaluar

Gjatë ditës së sotme prokurori i shtetit, Fatos Ajvazi i ka kërkuar Gjykatës që ndaj të akuzuarit Hysri Peqani, masa e paraburgimit të zëvendësohet me masën e paraqitjes në Stacion Policor.

Sipas Prokurorisë edhe pse ende ekzistojnë kushtet ligjore për vazhdimin e paraburgimit, maksimumi i dënimit për veprat penale për të cilat dyshohet i pandehuri është pesë vite dhe për shkak të kalimit të afateve ligjore për vazhdimin e kësaj mase mbi katër muaj – e që ky kalim i afateve nuk i atribuohet zvarritjes së procedurës nga ana e Prokurorisë, prokurori ka konsideruar se në rastin konkret janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për zëvendësimin e masës së paraburgimit me masën e paraqitjes në stacionin policor.

Me shqiptimin e kësaj mase Burdushit do t`i merret dokumenti i udhëtimit edhe për një muaj, dhe poashtu atij do t`i duhet të paraqitet në Stacion Policor herë pas here, ashtu siç do ta caktojë Gjykata.

Policia e Kosovës nën udhëheqjen e Prokurorisë Themelore në Prizren kishte bastisur shtëpinë e “Burdushit” nën arsyetimin për shmangie nga tatimi dhe mashtrim.

Mjeku popullor Hysri Peqani, i njohur për publikun si “Burdushi” po dyshohet për kryerjen e 4 veprave penale:

Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, shmangie nga tatimi, mashtrim, dhe për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Burdushi që nga nëntori i vitit 2018 gjendet nën masën e paraburgimit.