Burdushi në paraburgim deri më 28 gusht

Burdushi në paraburgim deri më 28 gusht

Monitorues të KMDLNj-së dje në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, vizituan të paraburgosurin Hysri Peqani – Burdushi, me ftesë të avokatit mbrojtës.

Sipas një komunikate për media nga KMDLNj-ja Peqani u pohoi monitoruesve se ai nuk kishte asnjë vërejtje sa i përket kushteve të mbajtjes e as trajtimit në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë nga stafi apo drejtuesit e kësaj qendre.

“Ai tha se i tërë stafi sillen shumë korrekt, nuk ka diskriminime në baza etnike, ushqimi dhe trajtimi shëndetësor është në rregull dhe në kohë. Sipas tij, ankesa e vetme është për padrejtësitë që po i bëhen atij duke e mbajtur padrejtësisht dhe me prapavija të tjera në paraburgim. Ai pohoi se qëllimi i vetëm është marrja e disa pronave të tij dhe se me arrestimin dhe mbajtjen e tij po duan që të kenë publicitet”, thuhet në njoftimin e KMDLNj-ës.

Ai ka thënë se veprimtaria e tij është legale, mjekësi sociale (85/14), këshillëdhënëse, nga e cila posedon dokumenatcionin për trajtimin e secilit që ka kërkuar ndihmë tek ai.

Gjykata e Prizrenit pas kërkesës së Prokurorisë, ka vendosur që Hysri Peqanin “Burdushin”, ta lë 30 ditë prapa grilave. Sipas aktvendimit të gjykatës së Prizrenit, Burdushi do qëndrojë në paraburgim deri më 28 gusht.

Paraburgimi prej një muaji i është caktuar për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprat penale “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” dhe veprën penale “shantazhi”./21Media