Burrat i bëjnë gratë për spital

Burrat i bëjnë gratë për spital

Dhuna familjare në Kosovë, respektivisht ndaj grave po vazhdon të jetë njëra nga dukuritë më sfiduese për organet e rendit dhe ligjit në vend. Raporti 24 orësh i Policisë së Kosovës i së premtes përmban gjashtë raste të regjistruara të dhunës, ku kryesisht raportohet për sulmin fizik që burrat e ushtrojnë ndaj grave të familjeve të tyre.

Në rajonin e Prishtinës, një rast i dhunës në familje është raportuar se ka ndodhur në Drenas. Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur dy ditë më parë, rreth orës 20:00.

“Është arrestuar i dyshuari pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij”, thuhet në raport. Sipas PK-së, viktima ka pranuar trajtim mjekësor ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Në anën tjetër, vetëm në rajonin e Prizrenit janë regjistruar katër raste të dhunës ndaj grave.

Në qytetin e Prizrenit, një qytetar i komunitetit rom e ka rrahur vajzën e tij, së cilës i ka shkaktuar lëndime trupore. Policia ka bërë të ditur se viktima ka pranuar trajtim mjekësor ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Dy gra të tjera në Suharekë, janë viktima të rrahjeve. Sipas raportit policor, në rastin e parë, një person është arrestuar pasi kishte sulmuar fizikisht motrën e tij. Edhe ky i dyshuar, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ndërkaq, rasti i dytë në këtë komunë, ka të bëjë me atë se si një burrë e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e vëllait.“Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në të dhënat e PK-së. Edhe një rrahje tjetër ndaj një gruaje ka ndodhur po ashtu në Prizren, ku një pjestar i komunitetit rom, ka rrahur një grua, së cilës i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor, kurse me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Pa raste të dhunës në familje nuk ka mbetur as Deçani.

Sipas Policisë së Kosovës, një person është arrestuar në Deçan pasi i njëjti në gjendje të dehur dyshohet të ketë sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. Nga rasti në fjalë nuk raportohet për të lënduar, përderisa i dyshuari vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Një javë më parë, qyteti i Prizrenit u trondit nga vrasja e një gruaje nga i dyshuari bashkëshorti i saj. Mëngjesin e 7 gushtit, një 61 vjeçar dyshohet se vrau bashkëshorten e tij, pasi kjo e fundit kishte kërkuar të ndahet nga ai për shkak të disa konflikteve verbale që kishte kohët e fundit ndërmjet tyre.

Gruaja nga Prizreni dyshohet se është qëlluar për vdekje me 15 plumba. Prokurorja e rastit, Ervehe Gashi, kishte thënë për kallxo.com se i dyshuari ka telefonuar vetë policinë pasi dyshohet se e ka vrarë bashkëshorten e tij, ndërsa për të njëjtin është kërkuar masa e paraburgimit.

Në anën tjetër, një raport i OSBE-së thekson se 13 vdekje të grave kanë ndodhur nga mbi 1 mijë raste të dhunës në familje gjatë periudhës janar-shtator 2018 në Kosovë./kallxo.com