Ministri tha se kanë përpiluar tekstet të cilat janë përdorur për mësimin shtesë

Ministri tha se kanë përpiluar tekstet të cilat janë përdorur për mësimin shtesë

Numri i fëmijëve që vijojnë mësimin plotësues në gjuhën shqipe në Diasporë ka pësuar rënie. Kështu të paktën ka deklaruar ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Kjo pasi që lidhur me këtë çështje, deputeti i VV-së, Ismajl Kurteshi njëherësh kryetar i Komisioni për Arsim, kërkoi përgjigje nga ministri i Arsimit.

“Sa janë të përfshirë fëmijët e mërgatës në shkollat shqipe në vendet ku jetojnë dhe punojnë shqiptarët, sa shkolla të tilla sot janë funksionale, sa mësues nga Kosova punojnë në këto shkolla, a bashkëpunon MASHT-ti me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë në këtë fushë dhe çka do të ndërmerr ministria këtë vit për këtë çështje”, tha Kurteshi.

Kurse, ministri i Arsimit Shyqyri Bytyqi tha se nuk kanë formë zyrtare me shifra për shkollat shqipe në diasporë.

“Ajo që shihet në vitin 2018, kemi një rënie të pjesëmarrjes së fëmijëve në mësimin plotësues të gjuhës shqipe. Pra sipas informacioneve, vitin e kaluar kanë qenë rreth 25 mijë fëmijë pra ka rënie sepse në 2016-ën mendohet që kanë qenë rreth 30 mijë”, tha ministri.

Bytyqi shtoi se kanë përpiluar tekstet të cilat janë përdorur për mësimin shtesë.

“Në Tiranë, ne kemi kurrikulat unike, pra të përbashkëta për diasporën dhe për të cilat është bërë marrëveshjen mes ministrive që të zbatohen në të gjitha shkollat e mësimit plotësues nëpër të gjitha vendet”, tha Bytyqi./kallxo.com