“Ka pasur shumë arsye për marrjen e vendimit për kalim në Partinë Socialdemokrate"

“Ka pasur shumë arsye për marrjen e vendimit për kalim në Partinë Socialdemokrate”

Ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi i ka hyrë garës për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Partisë Socialdemokrate. Me numër 35 në listën për deputet, ai thotë se synon që koalicioni AAK-PSD të udhëheq dikasterin e arsimit, për të vazhduar projektet e lën në gjysmë.

Zotohet se do t’u kthejnë shpresën të rinjve dhe se do të çojnë përpara projektet madhore për arsim sa më cilësor.

Bytyqi, i cili tash vonë u bë pjesë e Partisë Socialdemokrate, thotë se aty gjeti një qasje shumë pozitive, e tillë thotë të ketë qenë edhe pritja e tij në këtë subjekt politik.

Ai thotë se iu bashkua PSD-së , pasi vlerëson se ka politika të nevojshme për qytetarët e Kosovës. Thotë se koalicioni AAK-PSD, është më ndryshe se koalicionet e mëparshme, e që sipas tij, pikërisht këtu qëndron suksesi i fushatës si koalicion.

“Ka pasur shumë arsye për marrjen e vendimit për kalim në Partinë Socialdemokrate. Një ndër arsyet ka qenë vet politika socialdemokrate, që konsideroj se janë politika shumë të nevojshme për qytetarët e Kosovës, pastaj vet përbërja e kësaj partie, personat që janë qoftë në krye, qoftë në përbërjen e kryesisë dhe në tërësi të partisë, konsideroj që janë vërtetë njerëz, të cilët kanë guxim dhe kanë dije, janë pikërisht këta persona të cilët i duhen vendit tonë. Mendoj se këta persona do të kenë ndikim aq të mirë në skenën politike, që do t’ia kthejnë një seriozitet bërjes politikë në Kosovë, në mënyrë që vizionet janë për shtetin dhe për ndërtimin e shtetit”, thotë ai.

Bytyqi, i cili udhëhoqi për dy vite Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë thotë se sa ishte aty, kanë krijuar një bazament për të ndryshuar cilësinë brenda sistemit arsimor.

Nën udhëheqjen e tij, ai thotë se i është kthyer serioziteti testit të maturës, janë hartuar tekstet e reja në përputhje me kurrikulën si dhe është bërë përgatitja e nxënësve për testin PISA.

Megjithatë, sipas tij, mbetet ende shumë punë për t’u bërë, pasi thotë se projektet e filluara duhet të vazhdohen.

I pyetur nëse pretendon që të vazhdojë mandatin si ministër i Arsimit, ai tha se kjo varet prej shumë faktorëve.

“Konsideroj se në bashkëbisedim që do ta kemi me PSD-në, në rast se do të kemi mundësi të marrim këtë dikaster kaq të rëndësishëm. Insistimi im do të jetë që ta kemi Ministrinë e Arsimit, jo për mua që ta udhëheqi, por për rëndësinë e nevojën që ka sistemi arsimor të ndryshojë”, shprehet ai.

Ai flet edhe për zhgënjimet e të rinjve dhe tendencën e tyre për të dal jashtë vendit, porse shton se me koalicionin AAK-PSD, të rinjtë do të kenë mundësi të qasen në institucionet e vendit dhe të ndërtojnë karrierën e tyre.

“Është njëfarë zhgënjimi që po vërehet dhe konsideroj që koalicioni aktual, që ne pretendojmë të jemi koalicion fitues, me shumë përgjegjësi do ta mund këtë zhgënjim të të rinjve tanë. Dhe, kjo nuk do të vije vetëm nga fjalori, por do të vije me gjëra konkrete. Pra, do t’iu mundësohet të rinjve tanë që së pari të kenë një arsim cilësor, që është shumë e nevojshme dhe pastaj të kenë një qasje shumë të lehtë në karrierën e tyre. Në programin tonë si koalicion, ka një seriozitet për t’i bërë këto gjëra, përfshirë mundësinë e zhvillimin ekonomik të mirëfilltë ekonomik me vet fondin zhvillimor, i cili jep hapësirë të ketë vetiniciativë, qoftë të të rinjve dhe qoftë të tjerëve të interesuar në këtë drejtim”, thotë Bytyqi.

Bytyqi bën të ditur se kanë qenë në një fazë të përgatitjes të një udhëzimi administrativ, sipas të cilit, të gjithë profesorët që kanë qasje në avancime akademike, u jepet kosto shtesë që u paguhet nga Ministria e Arsimit për publikimet që bëhen në revistat e njohura ndërkombëtare.

“Ne e kemi rritur buxhetin për shkencë, kemi krijuar infrastrukturë ligjore, e cila ndikon pozitivisht për mundësinë për t’u marrë me shkencë, po ashtu jemi anëtarësuar në shumë organizata ndërkombëtare që merren me hulumtim dhe shkencë, ku u jepen mundësi të rinjve tanë, profesorëve tanë që të kenë qasje në fonde të caktuara, por edhe një qasje për të pasur mundësi të shprehin hulumtimet e tyre shkencore, që janë shumë të rëndësishme. Besoj, tashmë këto fusha që janë në përgatitje të fazave fillestare, do të ndikojë që hulumtimi dhe shkenca të dominojnë nëpër universitet tona”, thekson Bytyqi.

Krejt në fund, kandidati i koalicionit AAK-PSD për deputet në Kuvendin e Kosovës shpreh bindjen e tij se do të dalin fitues në zgjedhjet nacionale që do të mbahen më 6 tetor, për çka thekson se pret që fituesi të jetë me rreth 26 përqind të votave.