Bytyqi flet për rezultatet e testit PISA, numron lëvizjet pozitive!

Bytyqi flet për rezultatet e testit PISA, numron lëvizjet pozitive!

Në listën mes 79 vendeve të botës, PISA e rangoi Kosovën të tretën nga fundi dhe me një rezultat nën mesataren e vendeve pjesëmarrëse. Kosova la pas vetëm Republikën Dominikane dhe Filipinet. I ftuar në emisionin “Argument Plus” të RTV21, ministri në detyrë i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, tha se ajo çka ndodhi me rezultatet e testit PISA, “na tregoi që kemi tentuar të bëjmë lëvizje pozitive, por nuk jemi akoma në nivelin e duhur”.

Bytyqi tha se duhet të bëhet punë e madhe për të pasur një renditje më të mirë.

“Kemi lëvizje pozitive në matematikë, poashtu kemi në lexim një lëvizje pozitive, ndërsa kemi një rënie në shkencë. Gjithmonë këto krahasime po i bëjë me vetveten, pra 2015 Kosovë, 2018 Kosovë”, ka thënë Bytyqi.

Ai shtoi: “ne nuk jemi në vendin e tretë nga fundi në nivel botëror, por jemi të tretë në lexim, të shteteve pjesëmarrëse në testin PISA.

Kosova mori pjesë për herë të dytë në këtë test në vitin 2018 ndërsa në PISA-n e vitit 2015 ishte renditur po ashtu e treta nga fundi në tabelë, atëherë në mesin e 72 shteteve./21Media