Kandidatët në situatë të paqartë!

Kandidatët në situatë të paqartë!

Ministri në largim i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka kërkuar nga Fakulteti i Mjekësisë që sa më parë të implementoj vendimin lidhur me rritjen e numrit të studentëve të rinj që do të pranohen në dy drejtime të këtij fakulteti.

Bytyqi sot ka pritur në takim anëtarin e Këshillit Drejtues të UP-së, Ujkan Bajra, prorektorët Hysen Bytyqi dhe Merita Koçnaj- Berisha, si dhe dekanen e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka, me të cilët ka biseduar për situatën e krijuar për regjistrimin e studentëve në Fakultetin e Mjekësisë për vitin e ri akademik 2019/2020.

Bytyqi bëri të ditur se përfaqësuesit e UP-së dhe FM-së u shprehën të gatshëm të respektojnë vendimin e MAShT, shkruan rtv21.tv

Ky takim vjen një ditë pasi kandidatët protestuan para MASHT-it për mos zbatimin e vendimit për rritjen e numrit të të pranuarve.

Në këtë situatë më së vështiri e kanë kandidatët që prijnë në listën e përfituesve nëse ky vendim zbatohet.

Naser Gashi, djali i të cilit është kandidat për t’u regjistruar në Fakultetin e Mjekësisë tha për rtv21.tv se janë në një situatë të paqartë duke mos ditur se çfarë do të ndodhë.

Ai tregoi se djali i tij nuk po di nëse do të zbatohet ose jo vendimi. Kësisoj ai as nuk po di nëse duhet të pres që të aplikojë sërish në afatin e dytë, apo të marr rrugën për në Tiranë apo Tetovë.

Ministri në takime vazhdimisht ka deklaruar se do realizohet vendimi. Tash kandidatët në pritje janë në një situatë të paqartë se çka do ndodhë. Unë jam prind që djali përfiton nga ky vendim. Kemi mbetur në gjendje të paqartë se çka do të ndodhë, nëse zbatohet apo jo vendimi, në mënyrë që të jetë e qartë çka me veprua, në kohën kur po vjen afati i dytë për regjistrim, apo shkuarje në Tiranë apo Tetovë”, tha Gashi.

Ai uroi “të mos dalë mashtrim që shteti ua bënë rinisë shembullore, me çka do hapej dera e lëshimit të Kosovës”.

 

Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) në mbledhjen e  datës 26 korrik, vendosi që të mos rritet numri i studentëve të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, kështu duke e hedhur poshtë vendimin e Ministrisë së Arsimit për këtë çështje.

Për këtë pikë votuan katër anëtarë për dhe tre kundër, ndërsa prezent ishin shtatë anëtarët nga nëntë gjithsej.

Një javë para mbledhjes, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi kishte miratuar kërkesën e Senatit të Universitetit të Prishtinës për rritjen e numrit të studentëve të rinj në Fakultetin e Mjekësisë, për vitin akademik 2019/2020 në nivelin Bachelor.

Menjëherë pas publikimit të lajmit për vendimin e MASHT-it, KSHC e kritikoi vendimin duke e quajtur vendim politik.

Tani afër hapjes së afatit të dytë për pranimin e studentëve, Bytyqi deklaroi se vendimi për rritjen e numrit të studentëve në Fakultetin e Mjeksësisë, përkatësisht drejtimet Mjekësi e Përgjithshme dhe Infermieri, është marrë në bazë të kërkesës së UP-së, në bazë të kompetencave ligjore që ka ministria, por edhe në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, duke e konsideruar si politikë arsimore me interes nacional.

Në afatin e parë, në drejtimin Mjekësi e Përgjithshme janë pranuar 125 studentë, nga 842 sa kishin aplikuar. Ndërsa në drejtimin Infermieri janë pranuar 11 studentë nga 163 sa kishin aplikuar, duke mos llogaritur studentët nga Lugina. /21Media