Bytyqi: Kosova humbi një nga emrat më të mëdhenj të arsimit dhe shkencës

“Virtytet njerëzore të tij i kanë bërë vend të rëndësishëm figurës së tij në historinë e popullit shqiptar”

Me rastin e vdekjes së akademikut, Idriz Ajetit në emër të Ministrisë Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ministri Shyqiri Bytyqi ka shprehur ngushëllimet për familjen Ajeti.

Në shkrimin e Bytyqit theksohet se familja e Ajeti humbi më të dashurin tyre, kurse Kosova një nga emrat më të mëdhenj të arsimit dhe të shkencës..

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të akademik Idriz Ajetit. Familja Ajeti sot ka humbur më të dashurin e tyre, por Kosova humbi një nga emrat më të mëdhenj të arsimit dhe të shkencës. Emri i akademik Ajetit do të mbetet një nga emrat më të mëdhenj të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare, një nga emrat më të mëdhenj të rrugëtimit të popullit tonë drejt lirisë dhe të promovimit të vlerave të mirëfillta të popullit tonë në botë. Puna e palodhshme dhe virtytet njerëzore të akademik Ajetit, i kanë bërë vend të rëndësishëm figurës së tij në historinë e popullit shqiptar. Ju lutem që në emër të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, të pranoni ngushëllimet më të sinqerta, ju familjarë të akademik Ajetit, miq e bashkëpunëtorë”, është shkruar në postimin e Ministrisë së Arsimit dhe Teknologjisë.

Në moshën 102 vjeçare ka vdekur sot albanologu, gjuhëtari e intelektuali, pedagogu dhe veprimtari i palodhshëm në zhvillimet tona shoqërore, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe kryetar i saj në dy mandate, anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akademik, Idriz Ajeti. Lajmin për vdekjen e tij e bëri të ditur Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.Idriz Ajeti, anëtar i ASHAK ishte zgjedhur me gjeneratën e parë ta akademikëve dhe menjëherë ka marrë titullin akademik, ndërsa në vitin 1979 ishte zgjedhur kryetar i saj deri më 1981. Më 1996 ai ishte rizgjidhur kryetar dhe ka drejtuar Akademinë deri më 1999. /21Media 

Back to top button