Bytyqi: Personat me nevoja të veçanta të integrohen në shoqëri

Ministri Bytyqi ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nga Qendra Burimore “Nëna Tereza”

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Nevoja të Veçanta ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nga Qendra Burimore “Nëna Tereza” në Mitrovicë.

Në një postim në Facebook, Bytyqi ka deklaruar se shënimi i kësaj dite nënkupton kujdesin që duhet ta kemi në vazhdimësi për personat me nevoja të veçanta, e në veçanti për edukimin dhe arsimin e tyre.

“Sot mora pjesë në ceremoninë e shënimit të Ditës ndërkombëtare të personave me nevoja të veçanta, të organizuar nga Qendra Burimore “Nënë Tereza” në Mitrovicë. Shënimi i kësaj dite të veçantë nënkupton kujdesin që duhet ta kemi në vazhdimësi për personat me nevoja të veçanta, e në veçanti të kujdesemi për edukimin dhe arsimimin e tyre. Ka shumë sfida kur flitet për arsimimin e personave me nevoja të veçanta, por ne po punojmë dhe e kemi obligim që t’i kalojmë sfidat në këtë drejtim. Kjo kategori, në asnjë mënyrë nuk guxon të quhet e margjinalizuar në shoqërinë tonë, por duhet të jetë e barabartë dhe e integruar në shoqëri. 3 Dhjetori është një ditë e veçantë që ka për qëllim të vetëdijësojë tërë shoqërinë që të ketë përgjegjësi të përditshme ndaj kësaj kategorie.”, ka shkruar Bytyqi.

Më tej, ai ka shkruar se është obligim që të punohet për këtë komunitet dhe për t’iu krijuar kushte më të mira.

“Ne e kemi obligim që çdo ditë të punojmë për këtë komunitet, për të krijuar kushte për t’i arsimuar dhe në këtë mënyrë të bëjmë të mundur që të ndihen të barabartë në shoqërinë tonë. MAShT tashmë e ka të përgatitur infrastrukturën ligjore, e cila jep mundësi dhe obligon institucionet politikbërëse dhe arsimore të krijojnë kushte dhe të kujdesen për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve me nevoja të veçanta, në mënyrë që ata të aftësohen për t’u kujdesur për veten dhe të jenë të dobishëm për shoqërinë. Gjithashtu, pas mbarimit të kësaj ceremonie, kam vizituar ambientet e Qendrës Burimore “Nënë Tereza” dhe kam parë edhe ekspozitën e përgatitur nga nxënësit.”, ka theksuar Bytyqi.

Asambleja e Kombeve të Bashkuara në vitin 1992 e kishte shpallur 3 dhjetorin Ditë Ndërkombëtare të Personave me Nevoja të Veçanta./21Media

Back to top button