Bytyqi: SBASHK nuk e ka të qartë se kaq është mundësia buxhetore

Bytyqi pret që nesër të fillojë  mësimi, ka theksuar se do t`ia bëjnë edhe një ofertë tjetër SBAShK-ut

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, Shyqiri Bytyqi bashkë me anëtarët e grupit punues (për menaxhimin e situatës pas grevës) dhe përfaqësuesit e Kryeministrit ka mbajtur një takim me këshillin e grevës së SBASHK-ut, për të diskutuar dhe informuar lidhur me veprimin e fundit që Qeveria ka ndërmarrë për rritjen e koeficientit, gjegjësisht për rritjen e pagave të mësimdhënësve dhe të gjejnë mirëkuptim që të ndërpritet greva dhe të filloi mësimi sa më parë.

Qëllimi i këtij takimi, siç ka njoftuar ministri Bytyqi ishte që të informohet saktësisht Këshilli i grevës se sa vërtetë ka implikim rritja buxhetore në rritjen e pagave të mësimdhënësve dhe cilat kategori janë prekë, sepse sipas tij, ka paqartësi.

Bytyqi ka theksuar përmes një shkrimi në facebook se gjatë takimit janë qartësuar të gjitha rritjet që kanë ndodhur në sistemin arsimor dhe ka shtuar se si qeveri mendojnë se nuk ka asnjë lloj arsye që të vazhdojë greva.

“Sipas vendimit të fundit të Qeverisë dhe pajtimit të Komisionit Parlamentar, do të ketë rritje për të gjithë sistemin arsimor parauniversitar me koeficientin 0.20, pra rritja e një koeficienti që përkthyer në shifra i bie rreth 48 euro për secilin mësimdhënës duke u bazuar në pagën aktuale që sot kanë. SBASHK-u vazhdon me pasë kërkesa që i ka pasë që nga fillimi, por konsideroj se nuk e kanë të qartë se nuk është çështje diskutimesh por është mundësi buxhetore dhe nuk ka mbetë më hapësirë për diskutim, sepse kjo është mundësia e vetme buxhetore për një rritje pagash, që nuk është në fakt rritje e ulët, sepse ka një implikim buxhetor të lartë”, ka shkruar më tutje Bytyqi.

Ministri ka theksuar që presin që nesër të gjitha shkollat të fillojnë mësimin dhe sipas tij, nuk ka më asnjë arsye nga askush që të pengohet procesi mësimor.

“Nxënësit nuk janë fajtor dhe mendoj se Qeveria ka reflektuar dhe siç ka reflektuar Qeveria të reflektojë edhe SBAShK-u dhe ne do t`ia bëjmë edhe një ofertë tjetër SBAShK-ut si Qeveri që të fillojmë menjëherë edhe me akterët tjerë të arsimit, të debatojmë dhe të marrim obligime, pra edhe pjesa e akterëve të arsimit edhe qeveria të merr përgjegjësi dhe obligime”, ka shtuar më tutje ministri Bytyqi.

SBASHK- Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës kishte njoftuar se do të tërhiqen nga greva vetëm nëse ngritet 30%, koeficienti i mësimdhënësve për paga. Të gjitha institucionet arsimore në Kosovë, të të gjitha niveleve nga 14 janari kanë hyrë në grevë./21Media

Back to top button