Sot afati i dytë i provimit shtetëror të maturës

Sot afati i dytë i provimit shtetëror të maturës

Mbi 10 mijë maturantë në Kosovë sot i janë nënshtruar afatit të dytë të provimit shtetëror të maturës. Për dallim nga afati i kaluar, pjesa e parë e testimit është bërë në gjithë vendin, ndërsa nxënësit pjesën e dytë do ta kenë me 7 shtator.

Me rastin e mbajtjes së afatit të dytë të provimit të maturës, ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka vizituar “Shkollën e Mesme Profesionale” në Shtime. Ai tha se është një organizim i mirë dhe se nuk ka kopjime si herëve të kaluara.

“Ajo çfarë pamë brenda është vërtetë një sukses për t’u admiruar, diçka që në të vërtetë ne vazhdimisht kemi tentuar që në testin e maturës ta krijojmë një organizim të mirë. Ta krijojmë një vetëdije që qëllimi kryesor duhet të jetë që nxënësi të përqendrohen në suksesin e tyre, dhe jo siç ka ndodhur në të kaluarën, kemi pasur shumë probleme me kopjime të ndryshme. Pra, gradualisht po kthehet serioziteti i testit të maturës”, tha Bytyqi.

Ministri në detyrë i Arsimit ka uruar të gjithë nxënësit që të kenë sukses në provimin e sotëm.

E kryetari i komunës së Shtimes, Naim Ismajli tha se është duke u mbajtur një test dinjitoz.

“Kushtet janë shumë të mira në kuptimin e ambientit për një test dinjitoz. Besoj dhe shpresoj shumë që në këtë rast nxënësit kanë përgatitur që ta kalojnë këtë pjesë. Dhe sigurisht pas kësaj të marrin rrugën për studime.. Po besoj që edhe këta nxënës të cilët kanë mbetur në riprovim në afatin e dytë, në këtë rast kanë qenë shumë të suksesshëm”, tha Ismjali.

Pjesa e dytë e testimit do të mbahet me 7 shtator, ndërsa nxënësit do të njoftohen me rezultatet me 16 shtator.

Ndryshe, në afatin e kaluar provimin e maturës e kishin kaluar 64,6 për qind e maturantëve.