Cakaj: Kufiri Kosovë-Shqipëri duhet të hiqet

Konjufca u shpreh se raportet janë vëllazërore

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, priti në takim ministrin në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj. Pas takimit, Konjufca në një konferencë për media u shpreh se marrëveshjet që janë arritur deri tash do të përpiqen t’i zbatojnë.

Konjufca shtoi se raportet Kosovë-Shqipëri janë raporte vëllazërore, duke thënë se kanë më shumë obligime ndaj njëri-tjetrit sesa falënderime. “Është bërë një punë e madhe deri tash por hapësira për mi thellua raportet dhe marrëdhëniet tona është gjithmonë e hapur. Sa i përket bashkëpunimit tonë, marrëveshjet që janë arritur deri tash do të përpiqemi t’i zbatojmë. Mbledhja e përbashkët e qeverive tona që do të ndodhë në Shkodër ne do të jemi në koordinim maksimal, që të jetë një organizim i mirë dhe me marrëveshje konkrete”, tha Konjufca.

Kurse sa i përket raporteve ekonomike e tregtare, Konjufca u shpreh se duhet të përmirësohen. Tha se me vendosjen e tarifës shkëmbimet e Shqipërisë në drejtim të Kosovës janë rritur mbi 300%, por kjo nuk ka ndodhur me të njëjtën masë për shkëmbimet nga Kosova në drejtim të Shqipërisë.

Cakaj u shpreh se ka propozuar dy marrëveshje. “Për mbledhjen e përbashkët kam propozuar dy marrëveshje. E para është që të firmosim një marrëveshje për ndarjen e shpenzimeve dhe detyrave për lobimin e Kosovës. Ne kemi theksuar gjithmonë gatishmërinë tonë dhe kemi ngritur zërin për qasjen e padrejtë të BE-së karshi Kosovës. Marrëveshja e dytë është marrëveshja për transmetimin e përvojave në procesin e screening. Ne kemi kryer ushtrimin e krahasimit të legjislacionit vendor me atë evropian. Ne jemi të gatshëm që përvojën tonë ta transmetojmë tek pala kosovare”, tha ai.

Cakaj u shpreh se kufiri duhet të hiqet. “Jam tepër i nderuar që jam këtu në Prishtinë. Populli i Kosovës ka shfaqur një solidaritetit që ka sfiduar edhe kufijtë e të besueshëm, institucionet civile e ushtarake kanë bërë një punë të pashembullt e Qeveria ka dhënë një financim të vyer për rimëkëmbjen e Shqipërisë pas tërmetit. Kufiri që ndan dy vendet tona është vetëm simbolik. Ky kufi nuk duhet të ekzistojë fare, duhet të hiqet menjëherë”, tha Cakaj./21Media

Back to top button