Cakaj kërkoi edhe mbështetjen e Kosovës në organizata ndërkombëtare

Cakaj kërkoi edhe mbështetjen e Kosovës në organizata ndërkombëtare

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj në kuadër të pjesëmarrjes në Ministerialin e Forumit Rajonal të Unionit për Mesdheun së fundmi zhvilloi një takim me Ministrin e Jashtëm të Tunizisë, Khemaies Jhinaou.

Në kuadër të përpjekjeve të Shqipërisë për të forcuar pozicionin ndërkombëtar të Republikës të Kosovës, ministri në detyrë u shpreh se kërkuan njohjen e menjëhershme të Kosovës dhe mbështetjen e saj në organizata ndërkombëtare.

Me këtë rast, Cakaj theksoi se me homologun tunizian nënvizuan rëndësinë e mbajtjes të konsultimeve diplomatike sa më parë dhe përmbylljes të disa marrëveshjeve me ndikim pozitiv në fushën e ekonomisë.

“Shqipëria si kryesuese e Grupit të Kontaktit të Mesdheut ka si prioritet forcimin e bashkëpunimit mes OSBE-së dhe Forumit Rajonal të Unionit për Mesdheun për të thelluar më tej partneritetin mes këtyre dy platformave. Në këtë kontekst, po ashtu theksuam nevojën e një pjesëmarrje sa më të gjerë e sa më të lartë në Konferencën e Mesdheut që do të mbahet në Tiranë.”, shkroi Cakaj në facebook./21Media