Stoltenberg tha se ky takim do të jetë shans "për të adresuar sfidat aktuale dhe të reja të sigurisë"

Stoltenberg tha se ky takim do të jetë shans “për të adresuar sfidat aktuale dhe të reja të sigurisë”

Samiti i ardhshëm i NATO-s do të mbahet më 3 dhe 4 dhjetor në Londër, për të shënuar 70-vjetorin e aleancës ushtarake.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se takimi do të jetë shans “për të adresuar sfidat aktuale dhe të reja të sigurisë”. Ai shtoi se Londra, ku ka qenë selia e parë e NATO-s, është një vend i përshtatshëm për të shënuar 70 vjet të bashkëpunimit ushtarak transatlantik.

Britania dhe 11 vende të tjera e krijuan aleancën ushtarake perëndimore në vitin 1949. Ajo ka tani 29 shtete anëtare dhe selia e saj është në Bruksel.

Takimi i Londrës vjen në kohën e tensioneve të vazhdueshme midis NATO-s dhe Rusisë dhe shqetësimeve rreth përkushtimit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ndaj aleancës. Trump ka thënë se anëtarët evropianë të NATO-s nuk shpenzojnë mjaftueshëm për forcat e tyre të armatosura./REL