Carl Bildt në vizitë dyditore në Maqedoni

Bildt tha se nevojitet përshpejtimi i procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian me anëtarë të rinj
Krizës kushtetuese nuk po i shihet fund, ndërsa situata është serioze. Ky është vështrimi i ish kryeministrit suedez Carl Bild i publikuar në rrjetin social “Tviter”, në prag të vizitës së tij në Maqedoni. Bild si kryesues i Këshillit Evropian për Punë të Jashtme vetë njoftoi për këtë vizitë, me ç’rast ai do të tentojë të formulojë rekomandime për zgjidhjen e krizës në vend.

“Do të kemi takim me kryetarin, liderët e partive më të mëdha, të gjithë ambasadorët relevantë si dhe me ekspertë të pavarur. Më pas do të ngelet për t’u parë se a do të formulojmë ne nga Këshilli Evropian për Punë të Jashtme rekomandime për politikën evropiane. Vizitat e politikanëve evropianë të niveleve të ndryshme deri tani nuk patën sukses për të ndihmuar që bllokada politike të tejkalohet”, tha Carl Bildt, Bashkëkryesues i KEPJ.

Por edhe përkundër shpresave të Bildit për t’u takuar me Ivanovin, nga kabineti i tij për TV21 thonë se në agjendën e tij nuk është paraparë që Ivanov të takohet me politikanin dhe diplomatin suedez. Përkundër kësaj, takim me Bildin konfirmuan nga BDI dhe BESA, nga VMRO-DPMNE thonë se është paraparë takim, ndërsa për momentin nga LSDM nuk prononcohen. Ende nuk dihet se çfarë konkluzioni Bild do të sjellë në Shkup dhe a do të kontribuonte kjo për dalje nga kriza. Apelet nga Brukseli mbeten të njëjta, faktori ndërkombëtar këmbëngul që shumica parlamentare sa më parë të formojë qeveri të re.

“Ne kemi qenë të qartë rreth asaj se çfarë ne presim të ndodhë në vend në këtë fazë. Jemi duke e ndjekur zhvillimin e proceseve dhe vazhdimisht theksojmë se duhet të respektohen rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare. Duhet të formohet qeveri pa shtyrje të mëtutjeshme bazuar në shumicë parlamentare që ekziston”, u shpreh Maja Kocijançiç, Zëdhënëse e BE.

Bildt më herët u shpreh se liderët evropianë janë të qartë sa u takon vendeve të rajonit: ata ose do të merren me problemet e tyre, ose do të presin që problemet e Ballkanit të merren me ta. Ai shton se nevojitet përshpejtimi i procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian me anëtarë të rinj, ndërsa programi i Bashkimit Evropian i quajtur “Partneritet lindor” të zëvendësohet me një program që do të quhej “Partneritet evropian”.

Back to top button