“Carmina Burana” u shfaq premierë në Kosovë në mbylljen e sezonit të Filharmonisë

Kantata e përmasave të mëdha “Carmina Burana” e kompozitorit Carl Orff u shfaq premierë në Kosovë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, të dielën prej orës 20:00 në mbylljen e sezonit 2021/2022 të Filharmonisë së Kosovës.
Në këtë koncert Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, u ngjitën në skenë bashkë me Korin e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, Korin e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Pejës, korin e fëmijëve “Okarina” – Prishtinë, me pjesëmarrjen e solistëve: Adelina Paloja (soprano), Arta Jashari (soprano), Safet Berisha (kontratenor) dhe Xhemil Rexhepi (bas) nën drejtimin e mjeshtrit japonez Toshio Yanagisawa.
Ky koncert u organizua në bashkëpunim me Operën e Kosovës dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, Komunës së Prishtinës dhe Universitetin e Prishtinës – Fakulteti i Arteve dhe Universitetin e Pejës – Fakulteti i Arteve.
Filharmonia e Kosovës publikoi fotografi nga koncerti, i cili mblodhi adhuruesit e muzikës klasike në sheshin e kryeqytetit./21Media






Back to top button