6 të vdekur e qindra të lënduar nga moti i keq

6 të vdekur e qindra të lënduar nga moti i keq

Një stuhi e fuqishme ka goditur zonën turistike greke të Halkidikit, duke shkaktuar vdekjen e së paku 6 personave, ndërsa rreth 120 të tjerë kanë mbetur të lënduar. Pas një vale të motit të nxehtë me temperatura që shkuan mbi 38 gradë, në disa zona të Greqisë qendrore dhe asaj lindore moti është përkeqësuar dhe janë regjistruar fenomene të tejskajshme të motit.

Mbi 5 mijë vetëtima janë regjistruar brenda gjysmë ore në Sithoni të Halkidikit, ndërsa stuhia është shoqëruar edhe me reshje të rrëmbyera shiu, shkruan rtv21.tv

Midis viktimave janë dy fëmijë, një prej tyre vetëm 8 vjeç nga Rumania, i cili ka humbur jetën si pasojë e shembjes së çatisë së një restoranti, gjë që ka shkaktuar vdekjen edhe të një 54 vjeçareje.

Gjithashtu një çift i moshuar nga Çekia kanë humbur jetën brenda një automjeti kur ai është rrëmbyer nga era.

Të paktën 120 vetë janë dërguar në spitalin e zonës dhe disa prej tyre janë dërguar në Selanik pasi kanë pasur plagë të rënda, ndërsa në zonë kanë operuar mbi 150 zjarrfikës dhe nëpunës të bashkive me 50 mjete.

Pasi në disa bashki ka ndërprerje të energjisë elektrike dhe të ujit të pijshëm prej orës gjashtë të mëngjesit në zonën e Halkidikit e mbushur këto ditë me mijëra turistë të huaj është shpallur gjendje e  jashtëzakonshme ndërsa në vend ka mbërritur për inspektim të situatës edhe vetë ministri i Mbrojtjes së Qytetarit.

Ndërkohë fenomene të tejskajshme të motit janë regjistruar edhe në Corfu, si dhe në Rodopi, në kufi me Turqinë./21Media