Nënkampionët e NBA kanë pësuar edhe një humbje në këtë edicion

Nënkampionët e NBA kanë pësuar edhe një humbje në këtë edicion

Cleveland Cavaliers vazhdojnë të zhgënjejnë si me paraqitje ashtu edhe me rezultate.

Të dielën në mbrëmje, ekipi i drejtuar nga Tyron Lue u mposht në shtëpi nga Atlanta Hawks 115:117, duke pësuar kësisoj disfatën e gjashtë në dhjetë ndeshjet e para.

Denis Schroder ishte më meritori në vetëm fitoren e dytë sezonale të Hawks, me 28 pikë të realizuara, kurse te Cavs as 51 pikët në total të LeBron James dhe Dwayne Wade nuk mund të shmangnin disfatën. James e mbylli ndeshjen me 26 pikë kurse Wade me 25.

Boston Celtics skuadra më e titulluar e NBA vazhdon formën fantastike në këtë sezon. Pas dy humbjeve në dy ndeshjet e para Boston nuk di më të ndalet.

Celtics regjistruan fitoren e tetë radhazi dhe janë pa diskutim skuadra e momentit në NBA, teksa kryesojnë Konferencën e Lindjes.

‘Viktima’ e radhës për Celtics, ishte Orlando Magic që në fushën e kësaj të fundit triumfoi me rezultatin 104:88. Vendimtare edhe në këtë fitore ishte loja ekipore e Bostonit, ku gjashtë basketbollistë e mbyllën takimin me pikë dyshifrore.

Shkëlqen James Harden, që në fitoren 137:110 të Houston Rockets përballë Utah Jazz, realizoi 56 pikë dhe 13 kërcime, që është numri më i lartë i pikëve për yllin e ekipit nga Teksas në këtë stinor.