“Çdo ish-luftëtar i lirisë duhet të përgjigjet me korrektësi para Gjykatës Speciale”

Sipas Thaçit, luftëtarët nuk i kanë ikur asnjëherë drejtësisë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi është deklaruar rreth ftesave të Prokurorisë Speciale për ish-pjesëtarë të UÇK-së. Ai është shprehur se luftëtarët e Kosovës kaluan nëpër sisteme të njëpasnjëshme gjyqësore për të dëshmuar të vërtetën dhe drejtësinë, andaj edhe tani sipas Thaçit, çdo ish-luftëtar i lirisë duhet të përgjigjet me korrektësi para Gjykatës Speciale.

Presidenti Thaçi ka theksuar se luftëtarët tanë çdoherë kanë qenë shembull në rajon, duke iu përgjigjur dhe mos i ikur asnjëherë drejtësisë.

“Kosova beson në të vërtetën, në drejtësinë dhe në procese transparente. Vetëm kështu mund ta ndërtojmë Kosovën evropiane, në rrugëtimin e saj të sigurt drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, ka shkruar Thaçi ndër të tjera në facebook.

Tanimë kanë filluar ftesat nga Prokuroria Speciale për ish-pjesëtarë të UÇK-së. Zyra e Prokurorit të Specializuar merret me hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe veprave tjera penale në lidhje me akuzat nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011, në të cilin thuhet që gjoja se krimet i kanë kryer pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë periudhës 1998 deri në vitin 2000./21Media

Back to top button