Boston Celtics e nisin me këmbë të mbarë finalen e Konferencës së Lindjes

Boston Celtics e nisin me këmbë të mbarë finalen e Konferencës së Lindjes

Ka nisur faza finale e Konferencës së Lindjes, aty ku Boston Celtics me rezultat të thellë 106:83, ka mundur rivalin Cleveland.

Dominim total i Celtics në finalen e parë me Cavaliers që u dorëzuan duke u larguar në fund nga TD Garden me një humbje dërrmuese.

Tre më të mirët e formacionit të drejtuar nga trajneri Brad Stevens ishin Jaylen Brown me 23 pikë, Marcus Morris me 21 dhe Al Horford me 20 pikë.

Sfida u vendos qysh në pjesën e parë me Celtics që shkuan në pushim me një avantazh të frikshëm prej plot 26 pikësh. I pafuqishëm ishte ylli i Cavaliers, LeBron James u ndal në mënyrë perfekte nga mbrojtja e Celtics.

“Mbreti” James, shënoi vetëm 15 pikë, kurse më i miri te Cavs, ishte Kevin Love me 17 pikë të shënuara.

Edhe ndeshja e dytë finale do të zhvillohet në TD Garden të Bostonit me Cavaliers që duhet të ndryshojnë patjetër fytyrë nëse dëshirojnë të luftojnë deri në fund për të fituar titullin në Lindje dhe për të shkuar në finalen e madhe të NBA.