Dy dekada në kërkim të të pagjeturve

Dy dekada në kërkim të të pagjeturve

Java e të Pagjeturve u mbyll zyrtarisht të premten përmes homazheve dhe organizimeve të ndryshme të cilat shënuan Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve.

Por nuk përfundon me kaq, mijëra familje në Kosovë sot janë zgjuar e do të zgjohen edhe nesër me dhimbjen e njëjtë, duke mos ditur asgjë për fatin e më të dashurve të tyre.

Janë plot dy dekada që kërkohen eshtrat e të pagjeturve, të cilët u vranë e u zhdukën në luftën e fundit në Kosovë nga regjimi i Sllobodan Millosheviq.

Në intervistën 45/45 u trajtua kjo çështje me kryetarin e shoqatës “Zëri Prindërve” dhe njëherit udhëheqës i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur, Bajram Çerkini, i cili edhe ai vet kërkon të ndriçojë të vërtetën për djalin e tij.

Çerkini tha se dhimbja e familjarëve të personave të pagjetur nuk shuhet, por po zbehen shpresat e tyre, ashtu si edhe puna e institucioneve për të kërkuar të paktën eshtrat e mbi 1600 personave që ende mungojnë.

Ai tha se po trumbetohet se është kryer rreth 70% e punës më çështjen e të pagjeturve, por sipas tij, nuk është bërë as 40% dhe thotë se deklarimet e tilla e kanë bërë të ndihen keq.

“Është ka flitet se 70% është kry puna në Kosovë e personave të pagjetur, kjo jashtëzakonisht ma vret veshin. Në Kosovë asgjë nuk është bërë fshehtë. Në Kosovë kurrgjë nuk ka që nuk dihet ku jonë. Ne pas luftës kemi gjet me qindra vet mbi tokë, me qindra njerëz të vdekur kemi gjetur në xhamia, nëpër oborre, nëpër fusha dhe thuhet kemi kry punë 70% është jo normale. Nuk kemi kry punë sa duhet. Janë 2 mijë vetë pa ADN të varrosur e kur dalin para opinionit ‘jo kemi punuar shumë, kemi bo 70%-shin është për mua shumë e prekshme. Për mu nuk është bërë 70%, as 40% për shkak të disa sendeve familjarët i kanë gjetur vet nëpër shtëpi, oborre, xhamia dhe i kanë varrosur pa asnjë analize të ADN-së”, tha ai.

Çerkini tha se asnjëherë nuk e kishte menduar që do të kalonin 20 vite dhe nuk do të gjendej djali i tij. Ai tha se për 20 vite mund të ishte gërmuar e gjitha Kosova.

“Djemtë e rinj që kanë lindur gjatë luftës me jua paska dhënë tarrnakopat dhe me jua pas a dhënë ka 150 euro qysh ju japin me na shërby nëpër kafiqa, e kishin gërmuar edhe e kishin gjetur deri tash, e lëre më shteti, lëre mo institucionet që këtë Kosovë ta gërmojnë për 20 vjet. Kurrë nuk kisha mëndu që 20 vjet edhe nuk më thonë dhe nuk e gjejnë djalin tim, apo nuk e gjejnë vëllain, nuk e gjejnë bashkëshortin e të tjerë”, u shpreh Çerkini.

Vet Çerkini ka qenë në Beograd disa herë në takime të ndryshme nëpër ambasada dhe institucionet serbe ku është interesuar e madje edhe i ka vizituar lokacionet e dyshuara për varre masive.

Ai tha se Serbia e di vendndodhjen por nuk dëshiron të tregojë. Sipas tij, Serbia po bën lojëra duke blerë mjete indiane për të gjetur varret masive, por nuk pyesin njerëzit të cilët jetojnë edhe sot, e të cilët janë përgjegjës për zhdukjet e njerëzve në Kosovë.

“Merre me mend kanë marrë një aparat prej Indie, por njeri është i gjallë, oficeri është i gjallë që i ka çu aty e neve na thuhet se nuk e dimë se ku i kemi lënë. Serbia jo a besoni jo duhet me thonë a e dinë, por nuk duan të tregojnë pa ua bërë një kusht apo pa ia qitur një kusht jashtëzakonisht të madh se bashkësia ndërkombëtare ka fuqi edhe politike, po ka edhe fuqi ekonomike të bllokojë derisa të na kthejë më të dashurit”, tha Çerkini.