Pjesë e platformës vullnetare në Kosovë janë 2698 vullnetarë, ku prej tyre 162 janë organizata dhe institucione

Pjesë e platformës vullnetare në Kosovë janë 2698 vullnetarë, ku prej tyre 162 janë organizata dhe institucione

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në bashkëpunim me UNICEF-in për herë të parë në Kosovë kanë certifikuar 30 mentorë vullnetarë rinor.

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, ka deklaruar se fuqizimi i të rinjve që bëjnë vullnetare po bëhet nga udhëzimi administrativ për vullnetarë.

Duke inkurajuar të rinjtë që sa më shumë të merren me këto lloj aktivitetesh, Gashi u shpreh se nga sot të gjithë vullnetarëve do t’u njihet  përvojat e tyre  si vullnetarë.

“Një brengë e vazhdueshme edhe e jona si Ministri që të gjithë të rinjtë tanë, të cilët kanë aplikuar për vende pune gjithmonë u është kërkuar përvoja e punës dhe sot është një mundësi e mirë që të shfrytëzohet kjo certifikatë që e lëshon Ministria, ku përmes kësaj certifikate njihet përvoja e punës në periudhë një vjeçare”, tha Gashi.

Sipas tij ky proces do të jetë inkuruajues për të gjithë të rinjtë e Kosovës që kërkojnë punë vullnetare në komunitet në të gjitha komunat.

Shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Brandao Co u shpreh se certifikimi i vullnetarëve është shembull i mirë jo vetëm për Kosovën, por edhe për botën.

“Tani, puna juaj është pranuar zyrtarisht, e vërtetuar me udhëzimin administrativ të kësaj ministrie dhe ka qenë një shembull shumë i mirë jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin dhe globalisht. Përvoja e Kosovës është përsëritur në vullnetarë në shumë vende tani dhe është e njohur kudo”, tha shefi i zyrës së UNICEF-it.

Kurse, vullnetari i parë i certifikuar në Kosovë, Erzen Isufi duke inkurajuar që të rinjtë e Kosovës të merren sa  më shumë me punë vullnetare u shpreh se tani e tutje do të ta kenë më të lehtë që t’i qasen tregut të punës duke kryer punës vullnetare.

“I kisha lutur të gjithë të rinjtë e Kosovës të cilët nuk e gjejnë vetën në tregun e punës për shkak të përvojës së punës të gjejnë praktika dhe të bëhen pjesë e platformës së vullnetarëve që është një platformë shumë e mirë dhe iu mundëson atyre që të bëjnë përvoja të reja dhe të jenë të gatshëm për tregun e punës”, tha ai.

Ndryshe, pjesë e platformës vullnetare në Kosovë janë 2698 vullnetarë, ku prej tyre 162 janë organizata dhe institucione publike.