KOK certifikon administratorët e basketbollit

KOK certifikon administratorët e basketbollit

Në kuadër të trajnimeve për administrator të sporteve të ndryshme që po organizon Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), sot janë certifikuar administratorët e basketbollit.

Maratona e 14 kurseve bazike për administratorë të sportit, të organizuara për këtë vit nga Komiteti Olimpik i Kosovës, u mbyll këtë fundjavë me Federatën e Basketbollit të Kosovës.

Pjesë të këtij kursi, i cili filloi të premten ishin zyrtarë të FBK-së, si dhe administratorë të klubeve të kësaj federate.Në këtë kurse, ligjëruan Besim Hasani, drejtor i programit për kurse/SO-KON, Ibër Alaj, MEMOS 19, SO-KON/drejtor programi, Elda Gjoka, drejtoreshë e kursit kombëtar, IOC-OS, kurse të ftuar ishin edhe: Shqipe Bajçinca Brestovci, Dr. e Shkencave të Kulturës Fizike dhe Sportit, si dhe Fitim Arifi, menaxher në Departamentin e Sportit në MKRS.

Presidenti i KOK-ut, Besim Hasani i tha se më kursin për administrator të basketbollit është përmbushur një e planit strategjik. Ai tha se gjatë këtyre ditëve të këtij kursi pjesëmarrësit kanë fituar njohuri të reja. Ai thotë së edhe Federata e Basketbollit një ditë duhet të përpilojë planin strategjik për ciklin olimpik.

“Unë besoj se e përmbushëm edhe një pjesë të planit tonë strategjik për aftësimin e burimeve njerëzore, konkretisht për administratorët e sportit. Sivjet ishte vërtetë një seri maratonike, sepse 14-të federata kaluan nëpër procesin e aftësimit të administratorëve të sportit dhe e fundit ishte Federata e Basketbollit më një numër të konsiderushëm të vijuesve duke respektuar edhe aspektin gjinor, dhe gjatë këtyre dy ditëve e gjym patëm rastin të shkëmbejmë informata për gjendjen e Federatës së Basketbollit nga këndvështrime të ndryshme dhe konsiderojë se ishte një debat i shkëlqyer që një ditë Federata e Basketbollit ta përpilojë planin strategjik dhe për ciklin olimpik të punojnë sipas planit strategjik. Më këtë rast dëshiroj të falënderojë të gjithë ligjëruesit të cilët vërtetë janë të specializuar dhe kontribuan në mënyrë përmbajtjesore në mënyrë që të mësohen hapat për përpilimin e një plani strategjik që është shumë i dobishëm për vet federatën, por i dobishëm edhe për vet sistemi në Kosovë”, tha Hasani.

Ish-basketbollisti i njohur, Naim Hajrizi, njëri nga vijuesit e kursit për administrator, e vlerësoi të rëndësishëm këtë kurse, sepse sipas tij, kurse të tilla janë të dobishme për basketbollin e Kosovës.

“Sigurisht se më organizime të tilla komuniteti i sportit, në këtë rast komuniteti i basketbollit ka dobi të mëdha. Për mendimin tim ky kurs ka qenë shumë i qëlluar, sepse në këtë kurs kemi arritur të fitojmë njohuri të reja për krijimin e planit strategjik jo vetëm të federatës në këtë rast, por edhe për organizimin nëpër klube, ku edhe klubet duhet të fillojnë të mendojnë që të bëjnë një plan strategjik afat-gjatë në periudhat që janë të caktuara tri ose katër vjeçare”, theksoi Hajrizi.

Duhet cekur se kurset e tilla organizohen me mbështetjen e Solidaritetit Olimpik të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.