Rashica është gati për ndeshjen kundër Malit të Zi

Rashica është gati për ndeshjen kundër Malit të Zi

Kombëtarja e Kosovës në futboll mbajti sot konferencën e fundit për media para ndeshjes së nesërme ndaj Malit të Zi. Në këtë konferencë të pranishëm ishin përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes dhe lojtari Milot Rashica.

Challandes u shpreh se për momentin është koha të mendojmë vetëm për ndeshjen ndaj Malit të Zi, jo mundësitë tjera për një kualifikim të mundshëm në Evropian.

“Për momentin nuk mendoj për Ligën e Kombeve, jemi në kualifikime dhe mendoj që edhe këtu mund të arrijmë kualifikimin. Është më e rëndësishmja që tani të japim maksimumin nga vetja”, tha fillimisht Challandes.

Më pas ai theksoi se në sfidën ndaj malazezve, Kosova duhet të tregojë se çfarë është në gjendje të bëjë, të luaj lojën e saj dhe në fund të dalë fitimtare nga ndeshja e nesërme.

“Unë e pëlqej presionin. Presioni nganjëherë është i mirë, po ashtu kemi disa lojtarë të cilët pëlqejnë presionin. Mendoj që kështu është më mirë të luajmë. Luajmë në Prishtinë ku nuk kemi asnjë humbje, do të na ndihmojë fakti se jemi vendas” u shpreh Challandes.

Milot Rashica para kësaj ndeshje u shpreh 100 për qind i gatshëm për ndeshjen ndaj Malit të Zi. Ai shtoi se nesër do të japin gjithçka nga vetja në mënyrë që të marrin 3 pikë shumë të nevojshme në rrugën për kualifikim në Euro 2020.

“Besoj dhe jam gati 100%. Në ndeshjen e fundit kam luajtur 90 minuta, ka qenë një ndeshje tejet e vështirë kundër Frankfurtit dhe një teren shumë i vështirë, për këtë arsye dy-tri ditët e para jam stërvitur i vetëm. Kam pasur kohë të rikuperohem dhe shpresoj të jap më të mirën nesër”, tha Rashica.

Kosova renditet e treta më Grupin A me 8 pikë, 4 më pak se dy liderët e grupit, Çekia dhe Anglia. Ndeshja mes Kosovës dhe Malit të Zi zhvillohet nesër me fillim nga ora 20:45.